CR7 kapiten, "plas" te Reali
Real Madrid ka udhëtuar të mërkurën në drejtim të Kuvaitit dhe të enjten ka zhvilluar një miqësore me përfaqësuesen e këtij vendi duke fituar në shifrat 2-0. Në këtë takim, Cristiano Ronaldo realizoi edhe golin e 68-të sezonal, pasi rrugën e avantazhin e kishte hapur mesfushori Angel Di Maria.

Por më shumë sesa ky lajm, media madrilene, me të përditshmet e saj "AS" dhe “"Marca" ka zbuluar se në Lindjen e Mesme trajneri Jose Mourinho ka parashtruar një nga ndryshimet kryesore në skuadër për sezonin e ardhshëm.

Duke parë shifrat stratosferike të yllit portugez, tekniku i "Los Blancos" është gati që në sezonin 2012-2013 t’i japë ekipit një kapiten të ri dhe pikërisht Cristiano Ronaldon.

Por kjo ide do të thotë jo vetëm që shiriti i kapitenit t’i hiqet nga krahu ikonës së skuadrës, Iker Casillas, por mbi të gjitha rihapjen e një plage që pas fitores së titullit u mendua e mbyllur.

Me marrjen e drejtimit të skuadrës nga Jose Mourinho, dhomat e zhveshjes së kampionëve të Spanjës janë ndarë më dysh mes grupit të portugezëve që e mbështesin trajnerin dhe grupi spanjoll, që kërkon më shumë të mbrojë një identitet të Realit. Casillas me shokë nuk e kanë pëlqyer aspak acarimin që Mourinho i ka futur në rrënjë grupit lidhur me rivalitetin e ashpër që ata kanë pasur në këto dy sezone të fundit me Barcelonën, skuadër në të cilën luan një pjesë e mirë e Kombëtares spanjolle.

Ky agresivitet i injektuar në ndeshjet e fundit ka bërë që Ramos, Xabi Alonso, Xavi, Iniesta, Busquets e Valdes të shkëmbejnë grushte mes tyre, ndërsa faljet dhe pajtimi ka ardhur vetëm gjatë grumbullimit të tyre në ekipin Kombëtar. Jo rrallë herë Iker Casillas ka dalë kundër trajnerit të tij, duke theksuar se kjo politikë është e gabuar dhe siç e dimë tashmë, "Special One" nuk është nga ata që i pëlqen lojtarët që e kundërshtojnë.

Për këtë arsye, lëvizja e parë që tekniku luzitan kërkon të bëjë në sezonin e ardhshëm është dhënia e shiritit të kapitenit Cristiano Ronaldos, por tani duhet të shohim sesa një veprim i tillë do të pranohet nga Casillas, i cili edhe në të kaluarën ka qenë shumë i qartë mbi këtë temë. /albeu.com/
Shtuar më 18/05/2012, ora 11:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori