CR7: Ky nuk është kulmi im
Ylli portugez i Real Madrid, Cristiano Ronaldo insiston se është ende në zhvillim si lojtar, ndërsa shtoi se çdo gjë që ai ka është arritur, është produkt i një pune të vështirë, i përkushtimit dhe pak fati. Dhe, pavarësisht se i duhen edhe 3 vjet për të mbushur tridhjetë të tilla, Ronaldo vuri në dukje se ka ende shumë më tepër për të bërë.

“Unë vetëm shpresoj se do ta mbaj këtë formë që kam, do ta rris atë vit pas viti, – tha ai për TVI. – Ende nuk e kam arritur kulmin e karrierës sime. Kjo është e gjitha relative. Vitin e ardhshëm mund të jem në një nivel më të lartë mental dhe do të realizoj më shumë objektiva. Ai që jam sot pasqyron të gjitha përpjekjet që kam bërë. Kam punuar aq shumë, sa asgjë nuk ka ndodhur rastësisht. Kjo është e gjitha falë përpjekjes, përkushtimit tim dhe pak fati.”

Ronaldo më pas theksoi se është i lumtur me jetën në “Santiago Bernabeu”, ndërsa garantoi se ai nuk do të largohet nga klubi merengues edhe nëse trajneri Jose Mourinho vendos të nisë një sfidë të re. “Unë dua që të përmbyll një sezon të madh, – shpjegoi ai. – Dua të vazhdoj të luaj në Madrid. Kam edhe tre vjet të mbetura në kontratën time, pastaj le të shohim se çfarë klubi dëshiron të bëjë. Mourinjo? Unë nuk ndjek askënd, ndjek gjithmonë rrugën time. Ajo çfarë kam bërë dhe do të bëj në të ardhmen nuk është e bazuar në ndonjë miqësi.”

Megjithatë, Ronaldo ishte plot me falënderime për Mourinjon, duke thënë se patrioti i tij është trajneri më i mirë në botë. “Titujt e tij flasin vetë, – vuri në dukje Ronaldo. – Ai ka fituar kudo që ka qenë. Jo të gjithë trajnerët e kanë privilegjin për të bërë atë, që Mourinjo ka bërë. Kjo është arsyeja pse unë e konsideroj atë më të mirin. Të gjithë trajnerët e mëdhenj duhet të kenë sukses në vende të ndryshme, Mourinjo e ka bërë këtë gjë. Shumë trajnerë janë konsideruar mes më të mirëve, edhe pse nuk kanë pasur sukses në vende të ndryshme. Unë nuk pajtohem me këtë gjë”. /albeu.com/
Shtuar më 02/04/2012, ora 09:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori