Crvena Zvezda mbërrin në Shqipëri, merren masa të rrepta sigurie
Ekipi i Crvena Zvezdës ka mbërritur në tokën shqiptare pak çaste më parë, me lojtarët që nën masa të rrepta sigurie i janë drejtuar hotelit ku do të qëndrojnë.

Delegacioni i skuadrës serbe përbëhet nga 50 persona, ku mes tyre është edhe një kuzhinier, i cili do të ketë detyrën për të kontrolluar vaktet, pasi ushqimet nuk do të sillen nga Beogradi por do të konsumohen në hotelin e rezervuar në Tiranë.

Në kryeqytetin e Shqipërisë, futbollistët, anëtarët e stafit profesional dhe drejtuesit do të kenë një kat të veçantë në hotelin ku ata do të qëndrojnë. Tashmë është rezervuar një ashensor, i cili do të jetë në dispozicion vetëm për skuadrën serbe, si dhe një dhomë të veçantë ngrënie.

Për të mos patur ndonjë surprizë të pakëndshme, klubi serb ka kërkuar që të testohen për COVID-19 edhe shoferët që do t’i transportojnë drejt hotelit.

Crvena Zvezda do të kryejë stërvitjen e fundit në “Air Albania” të hënën në orën 19:00, ndërsa para fillimit të stërvitjes pritet që të flasë në konferencë për shtyp trajneri Dejan Stankovic. Për skuadrën serbe nuk do të ketë policë të ardhur nga Serbia pasi lojtarët nuk do të lejohen të dalin nga hoteli në bazë të protokollit të UEFA-s për të evituar infektimin nga covid-19.

Shtuar më 24/08/2020, ora 13:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori