Çudit Hallaçi: Te Kukësi nuk ka as bojkot, as lojtarë të infektuar
Kukësi nuk ka përjetuar javë të qeta në këtë fillim sezoni.

Rezultatet kanë lënë për të dëshiruar e sikur të mos mjaftonte kjo, në skuadër ka shpërthyer COVID-19 që ka goditur trajnerin Skënder Gega e lojtarë.

Ndërsa më pas disa futbollistë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për vonesat e pagave duke kërcënuar deri me bojkot të stërvitjes.

Por sipas Rrahman Hallaçit, i emëruar trajner i përkohshëm te verilindorët deri në kthimin e Gegës, në klub nuk ka ndodhur asgjë, mendim që e thotë edhe për ata që vetë Kukësi ka zyrtarizuar nëpërmjet rrjeteve sociale, sa u përket infektimeve.

“Skuadra ka qenë në stërvitje, nuk ka bojkotuar asnjëherë seancat stërvitore. Me të mbaruar stërvitjen kemi qenë të gjithë së bashku aty ku bëjmë seancat dhe çdo gjë ka shkuar perfekt. Nuk flitet për anën financiare të Kukësit asnjëherë, çdo gjë është në rregull dhe vazhdon çdo gjë normalisht.

Me mjekun kemi folur vazhidmisht dhe ndoshta kanë ndjerë shqetësim por nuk është se ndonjë është i infektuar. Skuadra është e kompletuar para sfidës dhe nuk kemi shqetësime të tilla, ana shëndetësore është mjaft e mirë. Presim profesorin nga dita në ditë që të bashkohet me ne, kuptohet për çdo gjë kemi folur me trajnerin dhe pastaj kemi vendosur. Edhe nesër do të jetë gjithçka në konsultë me të për formacionin”, tha Hallaçi sa u përket dy ngjarjeve më të rëndësishme të kësaj fillimjave.

Ndërkaq, ai cilëson Teutën një kundërshtar të fortë, por nuk fsheh optimizmin që ka për këtë takim.

“Teuta ka një skuadërmirëorganizuar, ka bërë një skuadër cilësore. Nuk na vjen mirë për këtë start që kemi bërë e nuk kemi marrë rezultate. Kemi folur me skuadrën por nuk është hera e parë, ka pasur edhe herë të tjera kur nuk kemi bërë mirë në start por në fund të sezonit kemi bërë mirë.

Kështu që Kukësi asnjëherë nuk futet për barazim se me investimin që bëhet duhet marrë maksimumi në çdo ndeshje. E kemi përgatitur për rezulatat pozitiv dhe beosj se do ta arrijmë se ekipi është në formë të mirë.

Kur në një skuadër largohen disa futbollistë, është normale që kush vjen do kohë për ambientim. Disa kanë ardhur me pak minuta në këmbë, nga java në javë do ta rimarrim veten”, tha Hallaçi.
Shtuar më 20/11/2020, ora 23:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori