Cungu: Duhet të marrim më shumë përgjegjësi, Rama ka kualitet
Trajneri Armando Cungu nuk mendon aspak për kërkesën e numrit një të klubit, por vetëm për ndeshjet e radhës dhe pikët në tabelën e klasifikimit.

Verilindorët fituan 3-0 ndaj Luftëtarit dhe e dominuan kundërshtarin. Shkodrani mbetet me këmbë në tokë dhe kritikon skuadrën për pjesën e dytë.

Pjesa e dytë - "Në pushim i kam kërkuar më shumë ritëm dhe seriozitet lojtarëve. Rezultati 2-0 në letër duket i pastër dhe i siguruar, por eksperiencat kanë treguar se janë kthyer rezultate të tilla. Në pjesën e dytë menduam që të qarkullonim dhe të godisnim kundërshtarin. Duhet të marrim më shumë përgjegjësi që të menaxhojmë më shumë situata të tilla. I lëshuam terren kundërshtarit dhe u krijua një pasiguri. Kishim nevojë të mbanim topin dhe të dilnim para".

Rama - "Maliki, Ethemi dhe Limaj janë rritur dhe kanë ende shumë punë për të bërë. Duhet të dish se kur duhet të mbash topin, ritmin dhe kanë kohë për t'i mësuar, por ne na duhen sa më shpejt për t'i shërbeyr ekipit. Rama? Jo unë, por askush nuk ka mundësi që të vërë në dyshim futbollin që ka në këmbë. Ai ka qetësinë e duhur për të bërë zgjidhjen e duhur, por duhet punuar më tepër në fazën defensive. Jam i bindur se kualiteti i tij do të ishte i vlefshëm që në minutat e para".

Skema 4-4-2 - "Kjo është një zgjidhje e momentit në bazë të kualiteteve që kena. Në fazën e parë u përshtatëm me një modul, pas janarit ndryshuam skemë dhe duhet ta përthithim të gjithë si ekip. Gradualisht po tentojmë të marrim diçka, jemi në përmirësim, por nuk është më e mira e Kukësit".

Ulja e ritmit - "Pjesën e parë e bëmë mirë dhe kishim momente të mira. Në pjesën e dytë nuk ishim aty ku menduam të ishim. E zëvendësova Shkurtajn për ta ruajtur duke qenë se kemi kalendar 'flakë' në pak ditë. Mendova ta ruaj sulmuesin për ndeshjet e ardhshme. Nuk arritëm ta bënim pjesën e dytë dhe treguam probleme në ekip. Rezultati 2-0 të jep qetësi, por nuk e shfrytëzuam. E bëmë vetëm në minutën shtesë me një zgjidhje individuale të Valdet Ramës".
Shtuar më 02/03/2019, ora 16:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori