Curri i jep fitoren Tiranës në minutën e fundit
Pëlqej
Një gol i Debatik Currit në sekondat e fundit i dha Tiranës tre pikë që e ngjitën në kuotën e 10 të tillave.

As heshtja në tribunat e Qemal Stafës nuk e bën Tiranën të heshtë. Bardheblutë mposhtën in-extremis 2-1 Elbasanin, në një sfidë që në letër konsiderohej thjesht një shëtitje për skuadrën kryeqytetase por në fushë nuk rezultoi aspak e tillë. Një gol i Debatik Currit në sekondat e fundit i dha Tiranës tre pikë që e ngjitën në kuotën e 10 të tillave dhe në vendin e parë në klasifikimin e Kategorisë Superiore pas 4-javëve të para.

Sfida nisi në mënyrë perfekte për Tiranën që pa u mbushur ende 10 minuta lojë e pa veten në avantazh. Tomislav Busic finalizoi në mënyrë të shkëlqyer një aksion shumë të bukur të kryeqytetasve. Sulmuesi kroat pasi mori një top nga Kagere goditi saktë nga hyrja e zonës për golin e tij të parë në këtë kampionat dhe të parin me fanellën bardheblu. Gjithsesi duhet përmendur fakti se në momentin e golit të Tiranës, Elbasani ishte me 10 lojtarë në fushë pasi Dorian Bylykbashi i dëmtuar po qëndronte jashtë tapetit të gjelbërt të Qemal Stafës për të marrë ndihmën mjekësore. Por fati nuk ishte me skuadrën verdheblu që përvec se humbi Bylykbashin që nuk ja doli dot duke u zëvendësuar nga ish i madh i kësaj sfide Mirel Cota, pësoi edhe golin e disavantazhit. Në minutën e 15-të për formacionin e Gugash Maganit provoi Elis Bakaj me një goditje dënimi nga një distancë e largët por pa rrezik për portën e mbrojtur nga Kotorri. Por edhe pse Tirana ishte dukshëm superiore ndaj Elbasanit, skuadra e trajnerit Muharrem Dosti me kalimin e minutave filloi të shihte më tepër nga porta e Stivi Frashrit. Në të 28-tën Cota nuk e kishte saktësinë e duhur për të vënë në provë portierin e bardhebluve. Nga ana tjetër Tirana rrezikoi sërish me Bakajn që provoi nga distanca me një goditje teknike në minutën e 41-të por Kotorri u shfaq në lartësinë e duhur duke e dërguar topin në këndore. Por në ndryshim nga Kotorri, Frashri nuk mund të bënte asgjë ndaj predhës që lëshoi Ganiol Kaculi vetëm në limetet e pjesës së parë.

Mbrojtësi i Elbasanit nga goditja e dënimit realizoi një gol për manual futbolli duke vendosur barazpeshën. Gjithsesi Tirana nuk mund t’i lejonte vetes që t’i shëptonin nga duart tre pikët përballë një kundërshtari modest si Elbasani dhe në pjesën e dytë zbriti më e motivuar në fushë. Në të 53-tën ishte Bushic ai që provoi por kroati këtë herë nuk e kishte saktësinë e duhur në finalizim, ndërsa 60 sekonda më pas tentoi edhe Kagere por as sulmuesi nga Ruanda nuk e rrezikoi sic duhet portën e Kotorrit. Me kalimin e minutave presioni i formacionit të Maganit u rrit ndjeshëm, por Bushic në dy raste bëri të pamundurën të mundur duke shpërdoruar edhe atë që dukej si një gol i sigurtë.Në minutën e 84-tërt Olaki i hedhur në fushë në pjesën e dytë krijoi iluzionin e golit por roveshata e tij gjeti vetëm rrjetën e jashtme. Gjithsesi atëherë kur dukej se ky takim do të përfundonte në barazim, në vetëm pak minuta ndodhi gjithçka. Fillimisht Tirana goditi traversën ndërkohë që Bakaj la të tijët me 10-vetë pasi u ndëshkua me të kuq, por në minutën e 4-tërt shtesë Debatik Curri bëri heroin duke realizuar golin e avantazhit e duke i dhënë Tiranës tre pikët dhe kreun e renditjes. Ndërkohë që Elbasani pësoi humbjen e 4-t në po kaq ndeshje duke u fundosur edhe më tepër në fundin e klasifikimit.
Shtuar më 14/09/2014, ora 19:27
Ndeshja e fundit
08/03/2014, ora 15:00
Ndeshja e rradhës
Nuk ka ndeshje!
Vizito faqen e KF Tirana në Albeu
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori