Daja i vetëdijshëm për fatin e Skënderbeut në Europë: Do e provojmë, por nuk e kalojmë grupin
Pëlqej
Ilir Daja nuk ka asnjë peng nga merkato. Trajneri i Skënderbeut është i kënaqur me blerjet e bëra, megjithatë thekson se vlerat e tyre tashmë do të shihen në fushë. Në konferencën e dhënë dje për mediat, numri një i stolit flet edhe për synimet, ndërsa titulli mbetet prioritet. E pranon që kalimi i grupeve është i vështirë, por korçarët do ta tentojnë mrekullinë.

Daja, i kënaqur nga merkato dhe e keni ndonjë peng?

Do të jem i kënaqur kur lojtarët t’i shoh në fushë. Janë cilësorë, por tashmë duhet që niveli cilësor i tyre të përshtatet me atë të grupit. Pengje nuk kam. Kemi marrë ata që na duheshin. Duke e marrë të mirëqenë faktin që janë lojtarë cilësorë.

A e çon Skënderbeun ky grup te titulli kampion?

Skënderbeu gjithnjë synon titullin kampion. Të mos harrojmë që konkurrenca është e fortë, pasi edhe ekipet e tjera kanë bërë merkato. Por, sigurisht që kjo nuk i ndryshon objektivat tona.

Mbeten edhe gjashtë ditë merkato, çfarë pret Ilir Daja?

Të them të drejtën kemi një grup lojtarësh, përfshi edhe Karimin, me konkurrencë shumë të fortë. Ky kontingjent ka dhe anën tjetër që do të jenë të gjithë të gatshëm, pasi kemi tre kompeticione ku do të luajmë. Duhet patjetër të bëjmë rrotacion, por pa humbur cilësinë, raporton Panorama.

E prisni Albi Dokën?

Të them të drejtën e kam lexuar në media një gjë të tillë. Çdo njeri që ka vlera është i rëndësishëm për Skënderbeun. Por kjo i takon presidencës.

Partizani, Kukësi dhe Flamurtari, këta parashikoni si rivalë?

Pa dyshim që Partizani dhe Kukësi do të kenë të njëjtin qëllim si ne, por pretendentët do t’i shohim kur të nisë sezoni.

Po në Europë cilat janë objektivat tuaja?

Niveli i futbollit shqiptar nuk është në atë stad për të pretenduar kalimin e grupeve, por ne do ta tentojmë.

Me Flamurtarin shohim të njëjtin Skënderbe europian?

Natyrisht është një objektiv më i vështirë. Nëse në Europë ishim të kujdesshëm, pasi ishte me sistem eliminimi, tani duhet fitorja. Kështu që do të sulmojmë, por do të duhet të ruajmë balancat në mbrojtje. Këtë duhet ta bëjmë që ta nisim mbarë kampionatin.
Shtuar më 02/09/2017, ora 17:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori