Daja i'u përgjigjet akuzave të Gjicit për aleancë të mundshme me Vllazninë
Pëlqej
Skënderbeu ka mbyllur përgatitjet nga Korça për ndeshjen e radhës që do të luhet sot kundër Vllaznisë. Për trajnerin Ilir Daja, spostimi i takimit në Korçë është zgjidhja më e duhur që mund të bëhej.

Pra, të luhej në një stadium dhe jo në një fushë sportive. Në konferencën e djeshme për shtyp, kreu i pankinës iu përgjigj edhe akuzave që vijnë nga Kukësi, ku presidenti Gjici deklaroi për “Panorama Sport” se mes Skënderbeut dhe Vllaznisë ka një aleancë.

Do të luani në Korçë ndaj Vllaznisë. I kënaqur me këtë zgjedhje?

Të them të drejtën është zgjedhja më e mirë që mund të bëhej në një moment ku ne kërkojmë që futbollin në Shqipëri ta çojmë në një tjetër standard. Natyrisht që një ndeshje e tillë kur të dy ekipet kanë pretendimet e tyre në kampionat, nuk mund të luhej në një fushë sportive. Prandaj, mendoj se zgjedhja e bërë është në të mirë të futbollit.

OK, por rivalët këtë e kanë parë si aleancë të Skënderbeut me Vllazninë. Si do t’i komentonit akuzat e Gjicit?

Gjithmonë ai që është i pari shihet ndryshe nga të tjerët. Me pak fjalë për ta thënë në gjuhën popullore, gjithmonë pema me kokrra goditet me gurë. Skënderbeu është në vendin e parë dhe ka ato pikë që ka me meritë të plotë, pasi ka bërë mjaft mirë në kampionat. As nuk kemi pasur dhe as do të kemi kurrë aleat, pasi gjithçka i mbështesim në forcat tona, raporton Panorama.

Si do të ndikojë në rrjedhën e kampionatit ndryshimi i kalendarit?

Të jemi të sinqertë, me luajtjen në shtëpi këtë takim, do të thotë që fazën e ardhshme do ta zhvillojmë në transfertë dhe do të na bëhen më shumë ndeshje jashtë fushe. Kjo është e gjitha. Shoh një shenjë barazie në plotësimin e pjesës së parë të kampionatit.

Mendoni se në kushtet kur luani në shtëpi do ta keni më të madhe mundësinë që të thelloni diferencën në kampionat?

Skënderbeu është një ekip që nuk e ka problem se ku luan, pra në shtëpi apo në transfertë, pasi ne shkojmë kudo për të marrë maksimumin. Nëse e mendojmë shumë faktin që luajmë në shtëpinë tonë, atëherë rrezikojmë të na kthehet në një bumerang.

E shihni të vështirë ndeshjen kundër Vllaznisë?

Normalisht që po, Vllaznia është një ekip që luan futboll të bukur dhe ka elementë mjaft të mirë në përbërje. Morali i ekipit është i lartë, pasi vjen nga një barazim në Kukës, ku mund të kishte marrë edhe më shumë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përqendruar për të mos i shkaktuar shumë probleme vetes, por të respektojmë kundërshtarin aq sa e meriton.

Si vjen ekipi në këtë takim?

Vijmë nga një ndeshje impenjative në Europë, një paraqitje e mirë, ku mund të kishim marrë më shumë dhe jemi të kënaqur me atë çka kemi treguar në fushë përballë një ekipi që ka traditë në të tilla kompeticione. Megjithatë, e kemi lënë pas krahëve atë takim dhe jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e radhës ndaj Vllaznisë. Kemi pasur pak ditë në dispozicion, por do t’ia dalim duke parë edhe grupin e plotë që kemi.

Partizani gaboi, prisni të thelloni diferencën edhe me Kukësin?

Shohim se çfarë bëjmë ne në një ndeshje të radhës, por nuk na interesojnë shumë kundërshtarët, aq kohë sa ne jemi përpara. Do të shohim vetëm punën tonë dhe kaq. Llogaritë do t’i bëjmë më vonë.

Tani që u rikuperua Nespor, mund të ulni në stol Souen?

Është diçka që duhet të funksionojë mirë para se të provohet në ndeshje. Mund të them se grupi është i plotë dhe alternativat janë, por do të kërkojmë fillimisht që të jemi sa më të balancuar në fushë. Se kush luan, nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që të ruhen balancat.

Shtuar më 05/11/2017, ora 12:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori