Daja shpërthen ndaj arbitrit: E kishim kundër gjithë lojës
Trajneri i Flamurtarit pas humbjes me Kukësin kritikoi arbitrin Olsi Sokoli për vendimet e tij.

"Mungesat e shumta sot na kondicionuan që ta fillonim lojën jo në ritmin dhe manovrën e duhur. Më pas kemi provuar gjithçka dhe futbollistët kanë marrë situatën në dorë. Shkuam drejt golit të barazimit, pastaj pësuam nga goditja standarde, që ishte në disfavor dhe era. Besoj se nga ai faull që erdhi goli, më shumë mund të ishte faull për ne se sa për kundërshtarin.

"Nuk dua ta ul nivelin tim në të këtyre që gjykojnë në kampionat, sepse marrin kurajën që në një qytet sportdashës, në një qytet të traditës si Vlora, vendosin jo në bazë të rregulloreve të futbollit por në bazë të asaj që vetëm ata e shikojnë. Po të kapemi vetëm në një moment të tillë, do të keqorientojmë atë që ndodhi në fushë, pasi po të shohim janë shumë faulla në favorin tonë në zonën e kundërshtarit.

"Në kushte atmosferike me erë të fortë, mund të ishin situata shumë të rrezikshme, nuk na janë dhënë. Po me të njëjtin standard ka vepruar në të kundërtën tonë, pasi në çdo dyluftim ka vepruar në të kundërtën tonë. Unë do të thoja që më shumë ishte një shtyrje e sulmuesit të Kukësit ndaj lojtarit tonë. Nuk dua të bie në nivelin e këtij gjykimin dhe nuk po i përmend më shumë këto.

"Ajo që më jep një motiv më shumë, veç lojtarëve me eksperiencë, Pollozhani ka dy dhëmbë të munguar në këto dyluftimet, por është dhe prezenca e lojtarëve të rinj si Rrapaj dhe Ziaj, që futen dhe bëjnë mirë, sepse janë lojtarë që i takojnë një perspektive të futbollit vlonjatë", përfundoi Daja. /albeu.com/
Shtuar më 02/02/2019, ora 23:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori