Dalili: Fituam një ndeshje të rëndësishme
Trajneri i Partizanit, Klevis Dalipi u shpreh i kënaqur jo vetëm me fitoren në Laç, por edhe me interpretimin e lojës që skuadra e tij bëri, duke u paraqitur mjaft mirë.

• E kishit menduar kaq të thjeshtë sot, përballë Laçit?

"E pata thënë, që kjo është fusha më e vështirë në Shqipëri. E pamë në pjesën e parë që patëm vështirësi. Por, ne vazhduam të bënim lojën që kemi bërë gjithmonë në stërvitje. Na ndihmoi edhe fati. Duke mos rënë në pesimizëm.

• Lojtarët e sulmit po vijojnë të bëjnë mirë, duke ua vështirësuar zgjedhjet…

"Shumë e vështirë për mua, edhe për stafin, por është mirë pasi kemi cilësi dhe shumë zgjedhje. Ne po i stërvitim në mënyrën më të mirë, dhe do vazhdojmë në këtë rrugë. Suksesi më i madh i takon lojtarëve, pasi më ndoqën në një kohë rekord. Ne tashmë futemi për fitore në çdo fushë që shkojmë.

• Sa pranë e shihni vendin e dytë?

"Na pret një transfertë shumë e vështirë në Kukës. Ka një specifikë tjetër, pasi fusha është më e vogël dhe terren sintetik. Gjithsesi, ne do ta përgatisim këtë ndeshje të vështirë dhe delikate. Duhet të jemi të bindur që të shkojmë edhe në Kukës për rezultat pozitiv. Duhet t’i marrim edhe këto 8 javë si finale. Duhet të ruajmë euforinë e tepërt, pasi futbolli e ka treguar që duhet të jemi me këmbë në tokë. Kemi treguar që kemi lojtarë të pjekur. Do marrim maksimumin nga kjo ndeshje.

• Prej 5 ndeshjesh ekipi nuk ka pësuar ndërsa keni 4 fitore dhe një barazim. Që kur keni marrë detyrën, i keni marrë maksimumin ekipit. Të bezdis kur në fund ekipi kërkon një trajner tjetër jashtë?

"E rëndësishme është që unë të bëj një punë të mirë, dhe të kem besimin e drejtorit Rama, që ma dhanë këtë detyrë. Ka edhe momente dëliri, pasi unë kam luajtur vetë futboll. Gjithsesi, futbolli është i poshtër, në kuptimin e mirë, pasi të bën atë që nuk e pret. Të fillosh karrierën tek Partizani është privilegj, dhe këtë dua ta shijoj deri në maksimum.

• Kërkuat të rrezikonit, duke parë edhe formacionin. Në pjesën e parë nuk punuat si duhet në sulm. A duhej një impenjim më i madh, sidomos nga Çani?

"Për sa i përket pjesës së parë, i dinim vështirësitë. Laçi është një skuadër agresive. Donim të vertikalizonim me dy sulmuesit anësor. Nuk u bë ajo që dua unë, me topa vertikalë. Impenjimi ishte maksimal, por ia pata thënë lojtarëve që të përballemi deri në fund. Në pjesën e dytë, ne kishim më shumë zgjidhje, duke pasur edhe një pankinë të plotë me lojtarë cilësorë. Besuam, dhe në pjesën e dytë morëm maksimumin.
Shtuar më 08/04/2018, ora 17:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori