Dallku "kërcënon" me largim nga Kombëtarja
Pas 8 vjet eksperiencë në kombëtaren kuqezi, Armend Dallku mund të përfundojë karrierën me Shqipërinë, jo për një vendim të tijin personal por për faj të qëndrimit në stol në ndeshjen e fundit në "Qemal Stafa" me Slloveninë në Eliminatoret e Botërorit 2014.

Lojtari i Vorskla Poltavas pranoi për gazetën "Express" se mund të tërhiqet dhe të përqëndrohet te klubi ukrainas.

"Vendi i titullarit te Kombëtarja nuk është i sigurt për asnjë futbollist. Në Kombëtare luajnë ata që janë të gatshëm dhe zgjedhjen e bën trajneri. Unë gjithmonë e kam dhënë kontributin dhe jam munduar me takatin tim të jap gjithçka", deklaroi Dallku për Express.

"Mirëpo, vjen një kohë, vjen një moment kur njeriu pak a shumë dëshpërohet, vijnë edhe problemet tjera dhe nuk mund ta japësh maksimumin. Shpresoj që ta jap kontributin tim, por nëse nuk luaj, shumë shpejt mund të tërhiqem nga Kombëtarja. Nëse nuk luan, nuk ia vlen të udhëtosh nga Ukraina për 10 minuta lojë ose fare", nënvizoi Dallku.

Armend Dallku konfirmoi se vendimi i tij nuk është përfundimtar dhe kjo periudhë do t’i shërbejë si kohë reflektimi atij por ndoshta edhe De Biasit.

"Do të pres edhe pak e më pas do të vendos. Nëse nuk luaj me Kombëtaren, ndoshta do të ishte më mirë të përqendrohem vetëm tek ekipi im. T’ia lëmë kohës", përfundoi Dallku.

Mbrojtësi kosovar Armend Dallku luajti në vitin 2005 ndeshjen e parë me fanellën kuqezi ndaj Ukrainës dhe në total ka zhvilluar rreth 60 ndeshje me ekipin përfaqësues. /albeu.com/
Shtuar më 18/12/2012, ora 09:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori