Dani Alves vendos: Qëndroj te Barça
Pëlqej
Dani Alves ka vendosur të qëndrojë te Barcelona. Këtë fakt e konfirmoi vetë mbrojtësi brazilian i cili në një konferencë për shtyp deklaroi se edhe pse në këto muajt e fundit i ka munguar mbështetja e klubit, ai nuk mund ta linte Barçën në këtë moment delikat që po kalon skuadra.

"Momentalisht kam vendosur të qëndroj këtu te Barça. Do të vijë dita që do të më duhet të largohem, por kur diçka e tillë të ndodhë dua që të gjithë këtu të thonë se kanë patur në ekip për shumë vite një profesionist të madh. Nëse do të largohesha tani është e sigurtë se askush nuk do ta thoshte diçka të tillë për mua madje do të thonin se problemet që po has klubi janë totalisht faji im. Vendosa të qëndroj këtu pasi dua të marr mbi shpatulla të gjitha përgjegjësitë e mia", është shprehur braziliani.

I pyetur nëse do ta respektojë kontratën që e lidh me Barcelonën deri në vitin 2016, Alves u përgjigj në këtë mënyrë.

"Jetoj vit pas viti. Kur e ardhmja ime këtu ishte në dyshim unë ua bëra të qartë të gjithëve se përpara se të merrja një vendim duhej të flisja me trajnerin e ri. Kësaj pyetjeje nuk mund ti përgjigjem tani pasi është shumë herët për të thënë nëse do të qëndroj te Barça deri në 20162, vijoi Alves.

Në fund braziliani foli edhe për trajnerin Luis Enrique, për rivalët e Real Madrid, si dhe për sezonin e shkuar që për Barçën u mbyll pa asnjë trofe të fituar.

"Luis Enrique më foli qartë që në ditën time të parë këtu pas rikthimit nga pushimet. Me të kam një marrëdhënie të mirë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu. Real Madrid? Ka të gjithë respektin tonë por nuk është një ekip që të fut frikën. Na duhet të rivalizojmë me ta gjatë gjithë sezonit. Përsa i përket sezonit të kaluar dua të them se nuk dhuruam një paraqitje aspak të mirë dhe nuk meritonim të fitonim asnjë trofe. Do të ishte një padrejtësi nëse do të kishim arritur të fitonim titullin kampion të La Ligas, në dëm të Atleticos. Gjithsesi për ato që ndodhën sezonin e shkuar dua t’ju them që Tata Martino nuk kishte aspak faj. Përgjegjësitë duhet ti marrim të gjitha ne futbollistët që nuk i bëmë gjërat mirë", përfundoi Dani Alves. /albeu.com/
Shtuar më 21/08/2014, ora 17:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori