Darka bën efekt, Griezmann: Lojtar si Messi nuk do të shohim edhe të paktën 40 vjet
Antoine Griezmann beson se bota e futbollit nuk do ta shohë një lojtar me cilësi të Lionel Messit edhe të paktën 40 vjet.

Sulmuesi francez e ka lartësuar bashkëlojtarin e vet argjentinas, duke thënë se është kënaqësi e vërtetë ta shohësh Messin duke e bërë të pamundurën të mundshme në fushën e futbollit.

Duke folur për aftësitë e Messit në fushë, Griezmann tha: "Nuk do të shohim lojtar si ai në 40 vjetët e ardhshme. Çfarë bën ai është e pabesueshme. Është kënaqësi e vërtetë ta shohësh duke luajtur".

Griezmann e ka pasur një fillim të vështirë në Barcelonë, veçanërisht me partnerët e tij në sulm. Megjithatë, francezi ka nisur t’i njohë më mirë ata edhe jashtë fushës.

Luis Suarez dhe Lionel Messi janë shokë të ngushtë edhe jashtë fushës tash e një kohë të gjatë dhe Griezmann është duke u përpjekur të gjejë vend në shoqërinë e tyre.

"Unë jam i turpshëm dhe aspak i mirë për të nisur biseda me njerëz. Nuk jam tip i personit që e nis i pari bisedën. Por, Leo, Luis dhe unë kemi filluar ta njohim njëri-tjetrin më mirë dhe kemi darkuar së bashku tashmë", tha Griezmann për UEFA.com.

"Lidhja jonë do të përmirësohet me kohë dhe është e qartë se ajo që do të ndodhë vetëm sa do të na bëjë të ndihemi më rehatshëm në fushë", shtoi ai.
Shtuar më 25/11/2019, ora 12:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori