De Biasi: Mund t’i fitojmë dhe mund t’i humbasim të gjitha
Trajneri i Kombëtares, Gianni De Biasi kërkon që skuadra të mbetet e njëjta. Përpara nisjes në Francë, drejtuesi i stolit kuqezi i kërkoi të besuarve të tij që të vazhdojnë të luftojnë të bashkuar dhe të japin më tepër se maksimumi.

“Falenderoj kryeministrin për vizitën e papritur, pasi mes njëmijë impenjimeve që ka, gjeti kohën për të na përshëndetur. Besoj se jemi të gjithë të vetëdijshëm për rëndësinë dhe mundësinë unike që kemi për të luajtur në Kampionatin Europian. Ne duhet të japim 110 për qind, pasi rezultatet nuk vijnë asnjëherë rastësisht.

Nëse skuadra është sot në Europian, kjo ka ndodhur pasi kemi djersitur në 8 ndeshje kualifikuese, ku bëri gjëra vërtetë të jashtëzakonshme. Fillimisht dhamë zemrën, luajtëm me pasion dhe vendosëm ekipin mbi gjithçka. Besoj që nëse do ti ruajmë këto karakteristika mund të mahnisim sërish.

Por, nuk duhet të harrojmë kush jemi, nga vijmë dhe sa jemi lodhur për të arritur deri këtu dhe sa e bukur është kjo që po përjetojmë, falë kualitetit të secilit prej lojtarëve tanë.
Nëse nuk i harrojmë këto dhe nxjerrim në dukje pjesën tonë më të mirë, mund të mendojmë edhe për tu kualiafikuar nga faza e grupeve. Ky është edhe objektivi i parë, më tej do të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë rrugës.

Kemi mundësinë të fitojmë ndaj të gjitha skuadrave, por edhe ti humbasim të gjitha ndeshjet. Kjo varet vetëm nga gjendja jonë psikologjike. Urimi që i bëj unë skuadrës, të gjithë Shqipërisë dhe të gjithë tifozëve është paçim fat”, tha De Biasi.
Shtuar më 06/06/2016, ora 12:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori