De Biasi: Ndryshime ndaj Sllovenisë
"Dëgjoj shumë njerëz që janë edhe njohës të futbollit që flasin për gjëra të cilat as i dinë. Në fund të fundit duhet t’I bësh gjërat me ato që kenë dispozicion. Sot, kemi një skuadër relativisht të re, me perspektivë, dhe shumë prej tyre luajënë për herë të parë në kombëtare. Këta lojtarë duhen përkrahur, sepse po bëjnë gjithcka, po japin maksimumin e tyre. Por nëse dikush mendon se ne kemi Messin, Xavin dhe Iniestën, gagohet rëndë. Ne kemi lojtarë të mirë, që së bashku mund të ndërtojnë një skuadër të madhe. Por nëse do të bëjmë dallime, ja ky nuk bën, ja ky tjetri….. atëherë nuk do të shkojmë gjëkundi."

Gianni De Biasi shfaqet mjaft i irrituar në konferencën për shtyp, një ditë para sfidës me Slloveninë dhe ka shumë arsye për të qenë i tillë: Humbja e pamerituar me Islandën, komentet disfatiste të njerëzve që merren me futboll, por që nuk e njohin realitetin në kombëtare.

Tekniku italian kërkon që të gjithë të qëndrojnë me këmbë në tokë, për të marrë fitoren me Slloveninë, duke kujtuar se Shqipëria nuk duhet të pësojë më gola naïve, sepse në shtëpi gjithmonë arrin të shënojë.

"Pas fitores me Qipron njerëzit i rrëmbeu entuziazmi, më pas u zhgënjyen nga humbja. Ju siguroj që ndaj Qipros luajtëm më keq se me Islandën, por fituam 3-1, ky është futbolli. Edhe pas kësaj humbjeje ne mund të fitojmë me çdo kundërshtar. Zhgënjimi i tifozëve është zhgënjimi ynë. Pas Islandës ndiheshim të vdekur në dhomat e zhveshjes, sepse nuk e meritonim atë rezultat. Por tani duhet të mendojmë për Slloveninë. Duhet të punojmë për të shmangur cdo surprizë të keqe dhe të marrim maksimumin nga vetja, ky besoj është aspekti ku duhet të fokusohemi. Është e padobishme që të na marrë fantazia krahë. Ne në shtëpi shënojmë gol, por duhet të mos pësojmë për ta fituar ndeshjen", vijoi De Biasi.

I detyruar nga dëmtimi i Mehas, nga problemi fizik i Bogdanit, por edhe nga forma jo e mirë që po kalojnë futbollistë të vecantë, De Biasi pranon se ndaj Sllovenisë do të ketë ndryshime, por pa i zbuluar ato.

"Nuk e di, cfarë ndryshimesh mund të bëj, por me siguri që do të ketë. Do të zhvillojmë edhe një seancë stërvitore për të parë edhe gjendjen e 2 futbollistëve, Bogdanit dhe Mehas, që kanë probleme dëmtimi. Duhet të marr në konsideratë edhe ndeshjen e zhvilluar tri ditë më parë, pra të aktivizoj lojtarët që japin më shumë siguri në fushë", u shpreh tekniku i Kombëtares.

De Biasi beson se në shkallët e "Qemal Stafës" nuk do të mungojë mbështetja e tifozëve kuqezi, ndërsa përsa i përket terrenit të rënduar, theksoi se nuk do të jetë i njëjtë për të dyja skuadrat, ndaj nuk mund të jetë alibi për mosarritjen e rezultateve. /albeu.com/
Shtuar më 15/10/2012, ora 16:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori