De Biasi: Një mrekulli na kualifikon në Botëror
Fitorja historike 6-1 me Qipron në miqësoren e 12 gushtit të 2009 i përket vetëm statistikave dhe nuk mund të jetë referencë për elimnatoren e parë të botërorit 2014, që do të zhvillohet pikërisht ndaj qipriotëve më 7 shtator në Qemal Stafa.

Gianni De Biasi kërkon t’ua bëjë të qartë si futbollistëve ashtu edhe tifozëve të kombëtares shqiptare, se suksesi nuk mund të vijë duke menduar të kaluarën. Në konferëncën për shtyp të zhvilluar në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, trajneri italian siguroi që përballja e radhës do të jetë krejt tjetër, sepse Qipro ka ndryshuar shumë dhe mbetet një skuadër shumë e fortë për t’u mundur.

"Harrojeni fitoren 6-1 në miqësore. Qipro nuk është më ajo, por ka bërë hapa të mëdha përpara. Nuk është e rastësishme që vitin e kaluar një skuadër qipriote ishte pjesëmarrëse në Champions Ligë, ndërsa këtë sezon Aeli i Limasolit luan në Europa Ligë. E kam ndjekur Qipron në një ndeshje më 15 gusht dhe ju siguroj që është një skuadër shumë e fortë. Në takimet kombëtare të muajit shtator ka shumë rëndësi përgatitja fizike. Duhet ta bazojmë lojën tonë në veprimet e shpejta dhe të rinisemi me agrisivitet kur të kontrollojmë topin, sepse s’mund të dominojmë për 90 minuta", deklaroi trajneri italian.

Për dy takimet e radhës me Qipron dhe Zvicrën De Biasi ka përfshirë në listë 24 futbollistë, ndër të cilët edhe Alban Mehan dhe Burim Kukelin, që sapo janë pajisur me pasaportë shqiptare. Tekniku italian shpjegon edhe arsyet pse ka preferuar të ketë në dispozicion një numër sa më të madh lojtarësh.

"Kam përfshirë në 24 lojtarë sepse do të luajmë dy ndeshje dhe mund të kemi probleme fizike. Edhe Zvicra ka grumbulluar 23 lojtarë për dy eliminatoret e para. Nuk mund të zbuloj sesi do të luajmë, cfarë skeme do të përdorim apo cilët lojtarë do të jenë titullarë, sespe në këtë mënyra do t’u jepja disa të thëna kundërshtarve. Të gjithë futbollistët e thirrur në kombëtare mund të japin kontributin e tyre, varet nëse ata janë gati për t’u futur në lojë, përfshirë këtu edhe Mehan dhe Kukelin", vijoi De Biasi.

Tekniku italian e konsideron mrekulli kualfikimin e Shqipërisë në një grup ku pretendentë janë Zvicra, Sllovenia dhe Norvegjia.

"Është e vërtetë që jam shprehur se kualifikimi do të ishte mrekulli në një grup ku pretendentë janë Zvicra, Sllovenia dhe Norvegjia, por edhe nëse do të renditeshim të tretët do të ishte një mrekulli e vogël. Mendoj se Zvicra ka dicka ëm shumë se të tjerat në këtë grup, megjithatë ne do të bëjmë lojën tonë", u shpreh trajneri i kombëtares kuqezi.

Shqipëri–Qipro do të luhet më 7 shtator, ora 20:30 në Qemal Stafa, ndërsa Zvicër-Shqipëri të martën më 11 shtator në Luzernë, në të njëjtën orë. /albeu.com/
Shtuar më 03/09/2012, ora 18:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori