De Biazi zbardh formacionin me Islandën
Në ndeshjen kundër Islandës tekniku Xhani de Biazi pritet të rikthehet në skemën 4-4-2. Ai pritet të heqë dorë nga skema 4-2-3-1 duke iu rikthyer variantit klasik 4-4-2.


Nga tre mesfushorët shkatërrues, i sakrifikuari është Ervin Bulku. Mesfushori tiranas ka luajtur dje me skuadrën e rezervave, ndërkohë që De Biazi ia ka besuar qendrën e mesfushës dyshes Basha-Kaçe. Nga ana tjetër, Dallku rikthehet titullar në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa Lila spostohet në të majtë të këtij reparti. Për këtë pozicion mund të ketë dilema deri pak orë para ndeshjes, pasi edhe Hysaj është një kandidat. Nga ana tjetër, në qendër të mbrojtjes nuk ka asnjë dilemë, pasi rikonfirmohen Cana dhe Teli. Krahët e mesfushës do të jenë gjithashtu të njëjtë me Roshin dhe Ramën. Gjithsesi, edhe për këto pozicione, nuk do të ishte çudi që De Biazi të ndryshonte mendje, duke i dhënë një shans Vilës. Në repartin sulmues, Çani do të ketë si partner Salihin. Ky ishte formacioni që u paraqit dje në një lojë brenda grupit. Në ekipin e rezervave ishin Ujkani, Hysaj, Curri, Osmani, Arapi, Vila, Abrashi, Bulku, Gjasula, Januzi dhe Mehmeti. Pas ushtrimeve të zakonshme të nxehjes në startin e seancës, që nisi në orën 17:35, trajneri ndau ekipin në dy grupe. De Biazi u kushtoi më shumë rëndësi goditjeve standarde. Gjithçka u bazua tek Ergys Kaçe, i cili ka kaluar tashmë shqetësimin në kofshë. Mesfushori ishte ekzekutues i të gjitha goditjeve të dënimit. Shpesh trajneri provonte skuadrën në pozicione standarde, teksa në ndihmë të sulmit ishin edhe Cana e Teli. De Biazi kërkon të befasojë Islandën me skema si ndaj Norvegjisë. Gjithçka shkoi më së miri për skuadrën, teksa Salihi dhe Çani arritën të shënonin disa herë gjatë lojës. Shpesh trajneri e ndërpriste testin për të udhëzuar lojtarët në fazën ofensive. Ai ka kërkuar më shumë nga Roshi dhe Rama, duke lënë të kuptohet se loja nga krahët do të jetë faktor në sfidën me Islandën.
Shtuar më 09/09/2013, ora 18:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori