De Ligt telefonon Sarrin, kërkon garanci për lojën sulmuese
Kemi dëgjuar shpesh të thuhet se trajnerë të caktuar telefonojnë futbollistët për t’i bindur t’u bashkohen klubeve kua ata punojnë, një veprim ky që ndihmon drejtuesit e skuadrës, por këtë herë kemi mësuar për të kundërtën.

Mbrojtësi holandez Matthijs De Ligt ka telefonuar trajnerin e Juventusit, Maurizio Sarri, për ta pyetur mbi filozofinë e lojës që ka ndërmend të aplikojë te bardhezinjtë, përpara se t’u jepte fjalën drejtuesve të skuadrës torineze, për t’u transferuar atje.

Një fjalim i mbajtur në Amsterdam, në ditën e festës së titullit me tifozërinë, nxori në pah personalitetin e fortë të 19-vjeçarit Matthijs De Ligt, i cili mori mikrofonin dhe me fjalët e tij nxiti entuziazmin e turmës së mbështetësve të Ajaxit.

Megjithatë telefonata me Sarrin ka treguar edhe njëherë se De Ligt nuk stepet, madje kërkon garanci për të ardhmen e tij. “Kemi treguar se si jemi ne të Amsterdamit, të lindur për të sulmuar”, pati thënë dikur De Ligt para tifozërisë së Ajaxit, ndaj para se t’i bashkohet Juves, kërkon garanci që edhe bardhezinjtë do të luajnë në sulm.

Kujtojmë që Juventusi dhe De Ligt kanë arritur marrëveshjen e tyre, ndërsa tashmë diskutimi është zhvendosur në zyrat e klubit të Ajaxit, ku Paratici po tenton të bindë holandezët ta lënë të lirë mbrojtësin 19-vjeçar, për një shifër prej 65 milionë eurosh.
Shtuar më 07/07/2019, ora 08:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori