Debate tek Skënderbeu, Ogunjimi përplaset me Karimin dhe braktis stërvitjen i tërbuar
Rikthimi në radhët e Skënderbeut pas një jave leje që kishte marrë nga klubi nuk ka qenë shumë pozitiv për sulmuesin belg, Marvin Ogunjimi.

Ky i fundit ka nisur dje stërvitjen me korçarët, por është dëmtuar pas një përplasjeje me Karimin dhe e ka braktisur stërvitjen i pakënaqur dhe dukshëm i revoltuar.

Gjithçka ka ndodhur në mes të seancës stërvitore në kohën që trajneri Daja ndau lojtarët në dy pjesë duke i testuar në fushë dhe provuar disa skema të rëndësishme për ndeshjen kundër Partizanit. Në një fragment loje, Ogunjimi ka qenë nën zotërimin e topit dhe, në tentativë për të pasuar, ka ardhur një ndërhyrje e fortë nga ana e Reza Karimit.

Të dy lojtarët kanë përfunduar të shtrirë në fushë. Menjëherë pranë tyre ka shkuar stafi mjekësor për të kontrolluar situatën, por duket se Ogunjimi ka pasur më të keqen nga kjo përplasje. Teksa Karimi pas marrjes së ndihmës mjekësore është çuar dhe ka vazhduar sërish stërvitjen, Ogujimi e ka pasur të pamundur një gjë të tillë.

Ndoshta i dëmtuar te këmba e operuar pak kohë më parë, sulmuesi belg i Skënderbeut është shfaqur tejet i revoltuar dhe i mërzitur duke braktisur stërvitjen, ndoshta edhe me aprovimin e Dajës që ka qenë shumë afër tyre.

Ajo që ka çuditur më shumë ka qenë reagimi i belgut që ka treguar temperamentin e tij “të egër”. Menjëherë pas përplasjes, Ogunjimi ka hequr dhunshëm fanellën e stërvitjes dhe ka goditur me inat topin që ndodhej pranë tij. Më pas, skena ka vijuar edhe me flakjen tej të një shisheje me ujë. Pas kësaj, ka lënë aneksin e stadiumit për të shkuar në dhomat e zhveshjes. /Panorama/

Shtuar më 28/03/2017, ora 11:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori