Debatik Curri ne Genclerbirligi
Albeu.com
Mbrojtësi kosovar Debatik Curri është transferuar te skuadra turke, Gençlerbirligi. 26-vjeçari Curri të shtunën ka nënshkruar për tre vjet me klubin nga Ankaraja.Kjo është bërë e ditur në sajtin zyrtar të Gençlerbirligit, ndërsa është konfirmuar edhe nga vetë futbollisti. Në Gençlerbirligi reprezentuesi i Shqipërisë kaloi nga ekipi ukrainas, Vorskla Poltava. Me Vorsklan Curri kishte kontratë deri në fund të vitit 2010.

"Sot kam nënshkruar me Gençlerbirligin. Kam nënshkruar për tre vjet. Gençlerbirligi do t'i paguajë dëmshpërblim Vorsklas për mua, ndërsa për shumën e dëmshpërblimit nuk jam i informuar", ka thënë Debatik Curri të shtunën për gazetën nëpërmjet telefonit nga Ankaraja.

Curri ka vendosur për Gençlerbirligin në mesin e shumë ofertave që kishte nga Ukraina, Rusia, Turqia dhe vende të tjera evropiane.

"Drejtuesit e Gençlerbirligit një kohë të gjatë më kanë kërkuar. Më pëlqeu klubi dhe për këtë arsye vendosa për Gençlerbirligin. Kjo skuadër ka ambicie të mëdha për edicionin e ardhshëm. Synon të paraqitet në gara evropiane. Po ashtu ka trajner shumë të mirë, gjermanin Thomas Doll", ka shtuar Curri.

Debatik Curri karrierën e ka nisur në klubin Prishtina. Në janar të vitit 2005 u transferua nga Prishtina te Vorskla. Në pesë vitet e kaluar ishte ndër lojtarët kryesor në ekipin nga Poltava. Nga viti 2006 ai luan rregullisht edhe për kombëtaren e Shqipërisë. Deri tani ka 29 ndeshje.

Klubi Gençlerbirligi është themeluar në vitin 1923. Ka fituar dy tituj të kampionit dhe dy kupa të Turqisë. Kampionatin e kaluar e përfundoi në pozitën e 15-të. Një xhiro para fundit të edicionit 2009\2010 të Superligës turke, skuadra e re e Currit mban pozitën e dhjetë me 44 pikë. Pjesë e kësaj skuadre është edhe mesfushori kosovar Labinot Harbuzi.
Shtuar më 16/05/2010, ora 13:44
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori