Deklarata e Mbappe, shkaku i vërtetë, "ylli" brazilian
Një "cunami" të vërtetë mediatik po shkakton "ylli" francez i Paris Saint Germain, 20-vjeçari Kylian Mbappé, i cili në artikulimin e tij të fundit ka lënë të hapur edhe një opsion që e projekton larg kampionëve të Ligue 1.

"Mendoj se ka ardhur momenti për të marrë më shumë përgjegjësi. Nëse kjo do të ndodhë tek Parisi, do të isha shumë i lumtur, por nuk përjashtoj një projekt të ri," – u shpreh sulmuesi më i mirë i kampionatit francez.

Drejtuesit e klubit kryeqytetas në këtë mënyrë janë përfshirë nga ankthi dhe brenda 24 orëve të fundit kanë dashur të stabilizojnë tensionin e krijuar nga një deklaratë e tillë nëpërmjet një komunikate për shtyp, ku japin siguri mbi vazhdimësinë e Mbappesë në këtë organikë edhe gjatë sezonit të ardhshëm.

Në të vërtetë, një transferim i sulmuesit kampion bote gjatë kësaj merkatoje nuk do të kushtonte më pak se 200 milionë euro, por nuk janë të pakta klubet elitare europiane që do të ishin të gatshme të provonin shanset e tyre për shërbimet e tij kaq të kushtueshme. Nga ana tjetër fjalët e lojtarit shihen si një paralajmërim për klubin, ku në të vërtetë të gjitha privilegjet dhe vëmendja madhore deri më tani ka qenë “uzurpuar” nga braziliani Neymar.

Ndoshta një përmirësim i kontratës do ta mbyllte një herë e mirë këtë çështje, por sipas asaj që zbulojnë mediet franceze, edhe një hap i tillë ndoshta nuk do të mjaftonte, duke qenë se Mbappe kërkon jo vetëm majën e hierarkisë në anën financiare, por edhe peshën në dhomat e zhveshjes, e cila deri më tani i ka shkuar Cavanit dhe Di Marias. Një situatë që mbetet për t’u sqaruar gjatë ditëve në vijim, kur në klubin e Parisit do të ketë edhe një takim me emirin që ka në pronësi këtë skuadër.
Shtuar më 22/05/2019, ora 16:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori