Del Bosque pranë rekordit historik
Miqësorja me Venezuelën në Malaga do ti shërbejë Spanjës, jo vetëm si një test i mirë përpara startit të Euro 2012, por për t’u kthyer te rezultatet pozitive, si edhe për të vendosur një rekord të ri.

Në fakt, trajneri Vicente Del Bosque mund të thyejë primatin historik të përfaqësueses iberike dhe të bëhet trajneri, me të cilin “Furia e Kuqe” ka shënuar më shumë gola.

Drejtuesi i stolit është vetëm një rrjetë larg barazimit me Javier Clementen, ndërsa me dy gola ai do të vendoste një rekord të ri. Në fakt,Clemente, që aktualisht drejton Sporting Gijon, renditet i pari, pasi Spanja e tij ka shënuar 126 gola në 62 ndeshje. Ndërkohë, aktualisht kjo përfaqësuese ka shënuar 125 rrjeta në 51 takime me Del Bosque në stol, ndërsa ai e ka udhëhequr skuadrën drejt titullit botëror në vitin 2010.

Në anën tjetër, Venezuela do të kërkojë të hakmerret për humbjen 3-0 gjatë verës së kaluar në Puerto La Cruz. Ajo ishte fitorja e fundit e Spanjës në ndeshjet testuese: përveç fitoreve në të teta ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Europian, iberikët kanë barazuar me Kosta Rikën dhe janë mposhtur nga Anglia dhe Italia në miqësore.

Ndërkohë, te Spanja problematike është situata në repartin ofensiv dhe skuadrës i nevojitet një sulmues që ta udhëheqë drejt fitores kundër Venezuelës. Me David Villan të dëmtuar dhe Fernando Torres e Pedron të lënë jashtë skuadrës, Del Bosque do të mbështetet te Llorente i Atletikos së Bilbaos, Soldado i Valencias dhe Negredo i Sevilla, për të vendosur se cili prej tyre do të luajë përpara treshes ofensive të përbërë nga Iniesta, Fabregas dhe David Silva. /albeu.com/
Shtuar më 29/02/2012, ora 14:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori