Del Bosque: Ti lemë pas plagët e Botërorit
Pëlqej
Spanja duhet ta lërë pas turpin e Botërorit për të shikuar përpara tek një e ardhme e ndritur. Eshtë ky apeli i radhës që lëshon Vicente del Bosque, teksa shfaqet sërish në skenë pas eliminimit zhgënjyes në Brazil. Me statusin e favorites, La Roja u nis në Qershor drejt tokës së sambas si kampione në fuqi e botës dhe e Europës, por u rikthye shumë shpejt në shtëpi, kokëulur dhe e turpëruar.

Pavarësisht kësaj paraqitjeje për t’u harruar, federata preferoi që rrugën e kombëtares ta çajë me Del Bosque në stol, i cili tashmë shikon plot optimizëm drejt horizontit.

"Plaga e Kupës së Botës më shkakton ende dhimbje, por ne duhet të ecim përpara dhe të luftojmë për një të ardhmendritur. Federata nuk kishte kurrë dyshime rreth rinovimit tim. E kuptoj reagimin e tifozëve sepse kur humbet, zakonisht ata vihen kundër ekipit dhe trajnerit", u shpreh tekniku spanjoll.

Mes kritikave ndaj Del Bosques, pati disa zëra se duhet të kishte grumbulluar fytyra të reja në kombëtare, në vend të veteranëve si Xavi apo Iker Casillas. Gjithsesi trajneri këmbëngul se nuk do të kishte ndryshuar asgjë, edhe sikur të kthehej prapa në kohë.

"Nuk do të bëja asnjë ndryshim në listën me 23 lojtarët që zgjodha. Dështuam, por ne bëmë më të mirën. Të gjithë lojtarët që grumbullova janë të mëdhenj, janë heronj që kanë dhënë gjithçka nga potenciali i tyre", përfundoi Del Bosque. /albeu.com/
Shtuar më 01/08/2014, ora 14:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori