Del Piero: Marsi mund të na dhurojë skudeton
Juventusi ecën i pamposhtur në këtë kampionat, më saktë në këtë sezon, sepse as në Kupën e Italisë nuk është thyer, por ndërkohë gjendet në mes të një stuhie polemikash, pas përballjes së shumëpërfolur me kampionët në fuqi të Serisë A. Shumë tifozëve të skuadrës torineze u duket sikur po jetojnë momentet e pak viteve më parë, kur “Zonja” u fajësua dhe u dënua për skandalin “Calciopoli”.

Gjithsesi, sivjet është ndryshe, kjo është ajo që siguron kapiteni i Juventusit, Alessandro del Piero. “Pinturichio” kërkon të shohë përpara drejt ëndrrës së titullit kampion. Numri 10 fton të gjithë skuadrën që të lërë prapa, të injorojë polemikat kundër Milanit dhe të përqendrohet te sfida me Chievon dhe te të gjitha përballjet e tjera të muajit mars (më konkretisht, edhe ato të 11 ditëve të para të prillit, ku do presë 3 sfida vendimtare kundër Napolit, Palermos dhe Lazios).

“Përpara na pret një muaj mars shumë impenjativ, i cili do të theksojë sesa vlejmë vërtet si skuadër. Nëse Juventusi do vazhdojë të ruajë ritmin e polemikave, atëherë ky është një gabim i rëndë, sepse brenda 30-40 ditëve të ardhshme luajmë thuajse gjithë sezonin tonë, ndaj kjo periudhë duhet të na gjejë më të përgatitur se kurrë, më agresiv se çdo vit që ka kaluar pas rikthimit tonë në Serinë A. Në ditët në vazhdim na presin 3 ndeshje në javë, duke mos harruar këtu edhe gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë, një kompeticion në të cilin jemi në avantazh dhe duam ta ruajmë atë deri në finalen e Romës. Prandaj, ftoj të gjithë skuadrën që të punojë edhe më shumë sesa ka bërë deri tani, pasi vetëm duke qëndruar të bashkuar mund t’ia dalim, jo vetëm që të fitojmë diçka, por mbi të gjitha të rikthejmë Juventusin në vendin që meriton, në elitën e Serisë A dhe në Ligën e Kampioneve", u shpreh Alex Del Piero. /albeu.com/
Shtuar më 01/03/2012, ora 13:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori