Del Piero: Spektakli duhet të presë, por kjo Juve është për Champions
Alesandro Del Piero ka vendosur që të mbushë disi me ngrohtësi zemrat e tifozëve të Juventusit, pas një muaji që Italia dhe bardhezinjtë kanë vendosur që të frenojnë topin të lëvizë, ashtu sikurse thuajse e gjithë pjesë tjetër e botës së futbollit.

Ish-kapiteni dhe legjenda e “Zonjës së Vjetër” është ndalur të prekë disa tema të nxehta, duke nisur nga situate aktuale, sezoni i parë i Mauricio Sarrit, ndjesitë për objektivat që Juventusi mund të arrijë dhe Kombëtarja e Italisë.

Gjithsesi, “Pinturikio” ka vendosur që intervistën ta nisë me pikën e tij të dobët në radhët e torinezëve, pasardhësin Paulo Dibala, për të cilin së fundmi është përfolur edhe një rinovim kontrate prej ikone, jo vetëm në shifra, por edhe me rritjen e përgjegjësive në të ardhmen e afërt siç është edhe shiriti i kapitenit të Juventusit.

Alesandro, pikësëpari si e sheh vazhdimësinë e këtij sezoni, pas panikut që ka rrethuar botën nga COVID-19?

Ka frikë dhe do vazhdojë që të ketë frikë, edhe sikur futbolli të rinisë. Qoftë me dyer të hapura, por edhe sikur gjithçka të nisë të luhet me dyer të mbyllura, kush është ai që i garanton personelit të klubit, futbollistëve apo stafeve teknike që situate është stabilizuar… Vërtet, një sportist nuk kuron vetëm anën fizike dhe atë teknike, por edhe atë psikiologjike. Një sportist mund të jetë i fortë nga ana mendore, por pas gjithë kësaj periudhe të gjatë dhe gjithçka shiohet, lexohet dhe mësohet se çfarë po ndodh në botë është e pamundur që të mos lërë shenjë.

Por në të njëjtën kohë, unë mendoj se tani më shumë se kurrë, e gjithë bota ka nevojë të dëfrehet dhe pa dyshim që edhe pa tifozë, futbolli në televizor do të jetë po aq dëfryes, mahnitës dhe oksigjen e qetësi psikologjike edhe për çdo të apasionuar.

Sipas teje, cila do të jetë forma e futbollistëve, në rast se kthehen në stërvitje pas periudhës së karantinës? A do të jenë gati ata që të nisin punën dhe më pas të reagojnë siç duhet në fushën e lojës?

Nevojitet një punë specifike, shumë e veçantë në aspektin fizik, por bashkangjitur me atë psikologjiok, sepse nëse topi do rinisë të lëvizë, fakti që mund të luhet për një muaj apo më shumë çdo 3 ditë, për t’i mbyllur sa më shpejt kampionatet do të jetë e vështirë. Por në të njëjtën kohë, dëshira për t’u rikthyer dhe për bërë bërë sërish këtë profesion të bukur mund të dhurojë stimuj edhe më të fortë sesa ata të fillimit të sezonit, ndaj unë shpresoj që futbolli në Itali dhe kudo të rifillojë sa më shpejt.


E vetmja gjë që nuk më ka pëlqyer gjatë kësaj periudhë janë lajmet që kam lexuar se për shembull futbollistë të Interit, apo edhe Juventusit, kanë vendosur që të largohen në vendet dhe familjet e tyre, pas periudhës së karantinës prej 14 ditëve që iu nënshtruan. Ata duhej ta kishin shmangur këtë ekspozim të mëtejshëm, sepse ky udhëtim duket se ka ende shumë kurthe të fshehura. Prandaj, unë lutem çdo ditë që shkenca të gjejë sa më shpejt armën për ta shkatërruar këtë armik.

Nëse do të jenë gati lojtarët që të kthehen të stërviten e të luajnë këtë duhet ta shohim, por si një prej numrave 10 më të mëdhenj të historisë së futbollit dhe pa dyshim të Juventusit, mendon se Paulo Dibala është gati që të marrë trashëgiminë tënde?

Për atë që unë e njoh, Paulo tashmë ka maturinë e duhur për të bërë të nisur që të gdhendë emrin e tij. E them këtë mbi të gjithë për mënyrën sesi i menaxhoi ngjarjet e verës së kaluar, kur u përfol për një largim të tij, ndoshta donin ta shisnin, duke qenë se nuk bëri një sezon shumë të bukur në 2018-2019. Por pikërisht reagimi që ai shfaqi në këtë pjesën e parë të këtij sezoni, reagimi dhe vetëbesimi që tregoi në fushë ishin emblematike, duke treguar sesa shumë personalitet ka ky djalë i ri, i cili shpresoj që ta kalojë sa më lehtë edhe çështjen e infektimit me virusin.

Ka nisur të flitet edhe për një rinovim kontrate dhe se Juventusi është gati që shumë shpejt t’i japë edhe shiritin e kapitenit Dibalës?

Mesa di unë, Paulo e ka mbajtur disa herë shiritin e kapitenit dhe nëse kjo ka ndodhur do të thotë se ambienti juventin, duke nisur nga tifozët, shokët e skuadrës dhe deri te drejtuesit janë të bindur se ai e meriton dhe i takon që ta ketë shiritin. Personalisht mendoj se Dibala është gati dhe e meriton që të nisë të ecë në gjurmët e trashëgimisë sime, edhe si lider, edhe si golashënues, por edhe si kapiten.

Me një Dibala, por edhe me një Ronaldo e mjaft kampionë të tjerë, gjithmonë nëse do vazhdojë të riluhet, besoni ju se ky Juventus mund të pretendojë Champions-in?

Juventusi ka gjithçka për të luftuar dhe për të tentuar që të fitojë Champions-in edhe sivjet, edhe pse ndeshjen e vajtjes me Lionin e ka humbur. Gjithsesi, nuk ka asnjë rezultat që nuk përmbyset dhe sigurisht që përmbysjet e rëndësishme janë pa dyshim ato takime që të japin kthesën e madhe për të qenë më të fortë në vazhdim. Sivjet lufta është e shpërndarë në 7-8 ekipe që mund ta fitojnë trofeun, por sa më shumë i afrohes finales së Champions-it, aq më shumë nisin që të vendosin detajet në fushën e lojës.

Ju thoni që kanë shanse të fitojnë, por ndërkohë nuk është se trajneri Sarri po injekton siç duhet atë lojë spektakolare që premtoi?

Flitet shumë për lojën e Sarrit dhe gjithçka madje e rrethon trajnerin e Juventusit. Por unë mendoj se për të parë lojën spektakolare nevojitet kohë. Të gjithë kërkojnë që të prekin yjet, por nuk është e mundur që diçka të tillë ta bësh shumë shpejt, aq më tepër që Juventusit në pjesën më të madhe të sezonit i është dashur që të luajë një herë në dy javë nga 3 ndeshje çdo 7 ditë. Që Sarri të injektojë idetë e tij duhet më shumë kohë, prandaj nuk është se habitem nëse loja e kësaj skuadre deri tani nuk është gjithmonë yjore.

Si do ta përkufizonte Del Piero këtë sezon të bërë nga Juventusi deri tani?

Nëse mendon se çfarë ka bërë Juventusi në tetë vitet e fundit, nuk është se po thua diçka të re, por pikërisht kjo “asgjë e re” edhe sivjet e bën atë që një ditë përpara ndërprerjes së kampionatit të riktheheshin sërish në krye dhe janë të parët në renditje. Prandaj, fakti që kryesojnë Serinë A, janë ende në lojë në Champions dhe gjithashtu edhe në Kupën e Italisë, thotë konkretisht se kjo skuadër mbetet shumë solide dhe mund të provojë që të tentojë gjithçka i ka vënë vetes objektiv, në Itali dhe në arenën ndërkombëtare.

Si kampion bote me Italinë në vitin 2006, si të duket kombëtarja e re e Roberto Mançinit, ndonëse Europiani i planifikuar këtë verë u shty për vitin e ardhshëm?

Fitorja e Botërorit mendoj se ishte shpërblimi i duhur për një brez lojtarësh fantastikë që e meritonin gjithçka arritën. Për të bërë një udhëtim si ai i Italisë sonë në 2006-ën nevojitet të bësh gjithçka në mënyrën perfekte në një periudhë 30 ditësh, që zgjat aktiviteti, por në të njëjtën kohë, në momente të caktuara të kesh edhe pak gramë fat, sepse topi është i rrumbullakët për të gjithë.

Ai kujtim do të mbetet gjithmonë brenda nesh, aq sa që nga dita që triumfuam në Gjermani, ende sot e kësaj dite, të gjithë kampionët e botës, kemi një çat të përbashkët në të cilin shkëmbejmë kujtime, shakara, por edhe ritakime në grup, në data dhe vende të ndryshme dhe shpresoj që edhe Italia aktuale të ecë në të njëjtat gjurmë si ajo e jona.


Sa merita ka Mançini në ringritjen e Italisë?

Mançini si trajner ka bërë një karrierë madhështore dhe performanca e tij ka ardhur gjithmonë duke u përmirësuar. Deri më sot, duke marrë një Italio që ishte në një situatë që është pak ta quash të vështirë, Mançini tregoi se diti jo vetëm që t’i japë sasi dhe besim, por edhe rezultate, cilësi, lidership dhe shpirt grupi, gjithçka thelbësore që i nevojitet një grup futbollistësh për të bërë gjëra të mëdha në fushë.
Shtuar më 06/04/2020, ora 12:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori