Demiri e Aliju: Do jepnim 500 euro për të luajtur në derbi
Pa dy lojtarët titullarë, Ertan Demiri dhe Burhan Aliju, Shkëndija do të luajë në derbin kundër Renovës të shtunën (ora 15:00) në stadiumim e qytetit në Tetovë. I pari për shkak të kartonit të kuq, kurse i dyti për shkak të numrit të madh të kartonave të verdhë rradhazi.

"Më vjen shumë keq pse nuk do të jem pjesë e këtij derbi, sepse e kam pritur me padurim. Pa kurrfarë arsye jam ndëshkuar me kartonë të kuq dhe në dy raste po pushoj nga dy ndeshje. Por shpresoj se bashkëlojtarët e mi do ta kryejnë punën. Kam besim tek ata", tha Demiri për "Lajm".

I pyetur se çka do të jepte sikur të luante të shtunën ai tha: "Do t’i kisha dhënë 500 euro vetëm të luaja në këtë derbi. Një spektakël i tillë nuk lëshohet. Atmosfera që do të krijohet nga ‘ballistët’ do të jetë madhështore, po e ëndërroj", theksoi Demiri.

Në anën tjetër, edhe Burhan Aliju do të mungoj për shkak të pesë kartonëve të verdhë. Edhe atij i vjen keq që s’do të jetë aktor i këtij derbi shqiptar.

"Edhe unë pajtohem me Ertanin. Do t’i kisha dhënë 500 euro vetëm të luaj në derbin e së shtunës. Secili nga ne ka dëshirë të jetë i pranishëm në këtë ndeshje. Në qoftë se e fitojmë Renovën do të bëhemi kampion vjeshtor. Kemi besim në ekipin tonë. Çdo lojtar mund të jap maksimumin në këtë ndeshje", tha Aliju.

Derbi mes Renovës e Shkëndijës zhvillohet të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë në orën 15:00.

Pas javës së shtatë Shkëndija e Renova ndajnë vendin e katër dhe të pestë me nga 11 pikë. /albeu.com/

Shtuar më 28/09/2012, ora 19:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori