Dëmtohet Bruno Alves, Kastriot Dermaku gati të debutojë me Parmën
Pas 3 ndeshjesh radhazi si titullar në Kombëtaren Shqiptare, më në fund duket se ka ardhur momenti që qendërmbrojtësi Kastriot Dermaku të bëjë debutimin në Serinë A me Parmën, skuadër të cilës iu bashkua këtë verë duke nënshkruar për 4 sezone.

Mbrojtësi dhe kapiteni i Parmës, Bruno Alves pësoi një dëmtim në seancën e djeshme stërvitore dhe nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit D’Aversa për sfidën e orës 18:00 të ditës së sotme ndaj Genoas në “Tardini”.

Mbrojtësi portugez do t’u nënshtrohet vizitave mjekësore ditën e hënë për të përcaktuar shkallën e dëmtimit, por shanset janë që ai të mbetet jashtë skuadrës përreth një muaj, çka do të thotë se debutimi i Dermakut është më pranë se kurrë.

Për sfidën e sotme ndaj Genoas, mediat e klubit emilian flasin për një balotazh mes shtatlartit kuqezi dhe 21-vjeçarit italian Giuseppe Pezzella, që ashtu si Dermaku, nuk ka luajtur ende asnjë minutë me Parmën këtë sezon.
Shtuar më 20/10/2019, ora 10:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori