Dënimi i Milan, reagojnë ultrasit e Inter
Ditë aspak të qeta për futbollin italian që duket i mbërthyer nga problemet të cilat vijnë nga shkallët e stadiumeve. Pas mbylljes së pjesshme të disa stadiumeve për koret raciste, i takon Milanit të vuajë masën më ekstreme, atë të zhvillimit të një ndeshjeje pa tifozë për shkak të koreve të tifozëve kuqezinj në transfertën e Torinos kundër Juventusit.

Por këtë herë, në krah të shoqërisë kuqezi kanë dalë tifozët e "kushurinjve" të të njëjtit qytet, ata të Inter, të cilët lënë mënjanë mëritë dhe bëjnë një thirrje gati gati revolucionare për një sinjal radikal ndaj drejtuesve të futbollit italian.

"Curva Nord" e stadiumit "San Siro" ku çdo fundjavë ndjek ndeshjet pjesa më e zjarrtë e tifozerisë zikaltër, publikon një komunikatë ku u kërkon të gjithë tifozëve italianë të këndojnë kore diskriminuese në mënyrë që federata të mbyllë gjithë stadiumet.

"Në Itali, ligji po interpretohet në mënyrë qesharake dhe ky është një sulm i pajustifikueshëm. Të jeni të sigurt që askush nuk e cilëson të gabuar ligjin kundër racizmit por problemi është se po teprohet dhe kjo situatë po bëhet e papranueshme. Por ne nuk do ta ulim kokën ndaj këtyre presioneve dhe jemi kuriozë të shikojmë një javë të luhet pa tifozë në asnjë stadium. A do të jetë kjo një ide interesante për tregjet e huaja? I bëjmë apel publikut të reagojë pasi tani ka ardhur momenti të mbajmë një krah sepse kjo është një betejë që lidhet me lirinë. Napoletanët nisën rrugën, prandaj le të nxjerrim armët tona për të bërë që zëri jonë të dëgjohet. Të dalim të gjithë mbi rivalitetin", thuhet në komunikatën e ultrasve të Interit.

Një qëndrim ekstrem ky nga tifogrupi zikaltër, që mesa duket e thellon më shumë krizën mes institucioneve dhe tifozëve në stadiumet italiane, të cilat po arrijnë një pikë pa kthim, atë të përplasjes frontale që mund të shkaktojë pasoja të pakthyeshme për futbollin e gadishullit apenin. /albeu.com/
Shtuar më 08/10/2013, ora 18:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori