Dënimi i rëndë nga UEFA: Zbulohet plani djallëzor, si po projektohet Skënderbeu i ri
10 vite pezullim nga kompeticionet europiane dhe 1 milion euro gjobë, dënimi më i madh që UEFA ka dhënë për një klub ndonjëherë. Skënderbeu u dënua për trukime dhe si provë shërbyen raportet e Sportradar, që nxirrnin në pah luhatjet e çmendura të koeficienteve.

Praktikisht klubi korçar është i marrë fund dhe në Superiore garimi është i kotë. Në FSHF sikleti është i madh, pas vendimit të Gjykatës Federale të Zvicrës. Një dënim i Skënderbeut, me hedhje në Kategorinë e Dytë ka dalë si skenar.

Jo vetëm kaq, pasi drejtuesit aktualë të Skënderbeut mund të spostohen në një klub tjetër: KF Maliqi. Me korçarët në Kategorinë e Dytë, ose edhe në faliment siç shkruan “Panorama Sport”, Besëlidhja ngjitet në Superiore dhe Maliqi në Kategorinë e Parë.

Mjafton një vit për ta ngjitur në elitë këtë skuadër, ndërkohë që mund të ndryshojë më pas emrin në Korça. Ky skenar ka qarkulluar që pasditen e djeshme, por nuk ka ndonjë konfirmim.

Me gjasa është nxjerrë qëllimisht, për të testuar opinionin publik, tifozët korçarë kryesisht. Atje sigurisht që do të donin sërish një skuadër konkurrente në elitë, siç bënte Skënderbeu.

Momentalisht gjithçka është në kuadrin e fjalëve, por janë fjalë të nxjerra nga njerëz pranë vetë presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj. Mbetet të shihet nëse i gjithë ky skenar është i vërtetë.
Shtuar më 21/08/2020, ora 09:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori