Deportivo-Real, pritet kthesa e "Los Blancos" në "Riazor"
Pëlqej
Dy humbjet radhazi i kanë lënë kampionët e Europës, Real Madrid, përpara një "mali" shumë të lartë për t’u ngjitur, pikërisht kur kanë kaluar vetëm 3 javë nga nisja e këtij sezoni të La Ligas, nëse do të duan të mos lëshojnë pè në rivalitetin me kryesuesit e Barcelonës.

Madrilenët gjenden 6 pikë pas katalanasve, të cilët kanë marrë maksimumin e mundshëm në këto 3 javë nën drejtimin e trajnerit të ri Luis Enrique, pas humbjeve 4-2 ndaj Real Sociedad dhe 2-1 ndaj Atletico Madrid, fundjavën e kaluar.

Të besuarit e Carlo Ancelottit, gjithsesi, ia dolën të reagonin në sfidën e mesjavës në Champions League, duke mposhtur 5-1 Baselin.

Performanca e kolumbianit James Rodriguez ishte një aspekt veçanërisht pozitiv i asaj fitoreje, pasi ai zhvilloi ndeshjen më të mirë që prej transferimit 75 milionë eurosh (97 mln USD) nga Monaco, duke i dhënë edhe një përgjigje kritikave të shumta se ai kishte dështuar të kompensonte energjinë dhe balancimin e të larguarit Angel di Maria.

Ancelotti pranoi kritikat e bëra ndaj ekipit të tij, në më pak se 4 muaj pasi ngritën trofeun e 10 europian në historinë e klubit, por nuk fajësoi askënd, madje lavdëroi kërkesat e larta që bëhen ndaj punës në një prej klubeve më të mëdha të botës.

Por, nëse "Los Blancos"-it dështojnë të mposhtin Deportivo la Corunan, të shtunën, aftësia e tij për të ndryshuar situatën në La Liga do të vihet seriozisht në "shënjestër".

Reali ka fituar vetëm 2 nga 9 transfertat e fundit në "Riazor", por kanë kujtime pozitive nga ky stadium së fundi, pasi në sezonin 2012-2013 ata siguruan një fitore 2-1, gjë që kontribuoi edhe në rënien në Segunda Division të Deportivos. /albeu.com/
Shtuar më 19/09/2014, ora 15:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori