Derbi madrilen Real-Atletico, Superkupa e Europës është spanjolle
Pëlqej
Këtë të mërkurë në Estoni do të zhvillohet edicioni i 43-të i Superkupës së Europës, derbi madrilen Real – Atletico. Dueli do të mbahet në kryeqytetin Tallinn, në orën 21:00 dhe do të drejtohet nga arbitri polak, Szymon Marciniak.

Dihet Reali paraqitet në këtë takim pas trofeut të fituar në Champions, ku nën drejtimin e trajnerit Zinedine Zidane ekipi “merengues” siguroi kupën e tretë radhazi në këtë aktivitet, teksa mposhti Liverpulin 3-1 në Kiev, ndërsa Atletico, në krahun tjetër, është këtu falë triumfit në Europa League, ku bardhekuqtë mundën Marsejën me rezultatin e thellë 3-0.

Ishte trofeu i tretë në nëntë vitet e fundit për “Los Colchoneros” dhe i dyti personal për trajnerin argjentinas Diego Simeone, që në vitin 2012 mposhti thellë dhe me po të njëjtat shifra gjithashtu edhe Athletic Bilbaon e Bielsas. Dominimi spanjoll është i dukshëm, pasi kjo është hera e katërt në pesë vitet e fundit kur dy klube të këtij vendi përballen pikërisht në finalen e Supërkupës Europiane, prandaj është e sigurtë që çfarëdo që të ndodhë në kryeqytetin estonez Spanja do të koleksionojë trofeun e nëntë gjatë dekadës së fundit në këtë kompeticion.

Gjatë kësaj periudhe Atletico ka fituar dy Superkupa, duke mundur Interin dhe Chelsea-n, ndërkaq Reali numëron tri të tilla, teksa mposhti dy herë Sevillan, ndërsa një vit më parë, në Shkup “Los Blancos” thyen 2-1 Manchester United. Mungesa e Cristianos pritet të ndihet, pasi sulmuesi luzitan shënonte 50 gola në sezon, megjithatë, për momentin, peshën në qendër të sulmit pritet ta mbajë Benzema, ndërkaq në anën tjetër Simeone ka gati dyshen Griezmann – Diego Costa.

Në ndeshje të tilla influencon shumë prapavija dhe dihet Simeone ka në dispozicion një mbrojtje të çeliktë, për më tepër edhe me Cristiano Ronaldon në skuadër Reali nuk ka fituar dot asnjë nga tri përballjet e fundit ndërmjet tyre.
Shtuar më 14/08/2018, ora 23:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori