Derbi Tirana - Partizani, policia merr masa të rrepta
Tirana dhe Partizani do të luajnë të premten ndeshjen e tretë më të rëndësishme të këtij kampionati, derbin mes tyre. Dhe sigurisht interesi nuk ndryshon nga të dyja tifozëritë, por edhe klubet dhe policia e shtetit.

Edhe pse do akoma pesë ditë nga takimi mes bardhebluve dhe të kuqve, mësohet se derbi do të jetë i blinduar nga masat e shumta të sigurisë që do të adoptohen në këtë takim. Në dy sfidat e para, probleme ka pasur dhe policia së bashku me sigurinë private është munduar që të bëjë më të mirën, por këtë herë gjërat do të jenë ndryshe.

MASAT – Pritet që masat e sigurisë në këtë takim të jetë shumë të larta. Jo vetëm për sa i përket numrit të forcave private dhe policisë që do të jenë të pranishme, por edhe kontrolleve dhe masave të tjera teknike. Pritet të ketë ndarje më të qarta për sa u përket dy tifozërive, që muajt e fundit kanë qenë në flakë dhe kanë trazuar jo pak ujërat në stadium.

POLICIA – Këto ditë, madje që sot, mes Tiranës organizatore, Partizanit, sigurisë private dhe policisë pritet të ketë një takim. Qëllimi është i qartë. Palët do të vendosin për të gjitha masat që do të merren për ndeshjen e së premtes. Disa herë policia ka refuzuar të sigurojë ndeshjen, pasi kërkon që tifozët të vendosen sipas planit të masave që blutë do të miratojnë.

Këtë herë gjërat do të jenë, me sa kuptohet, ndryshe dhe Tirana e Partizani do t’u ulen kushteve të policisë, që kjo e fundit të sigurojë takimin, sepse me policinë private një ndeshje si derbi zor se kontrollohet. Veç vendosjes së tifozëve në stadium, policia kërkon të famshmin sistem të kamerave të sigurisë që të kontrollojë gjithçka që ndodh në stadium.
Shtuar më 25/02/2019, ora 13:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori