Deshtimi i Recobes
Albeu.com
Ish-futbollisti i Interit, një gjeni i padiskutueshëm, e ka shpjeguar vizionin e tij të futbollistit në të përmuajshmen franceze, So Foot, e cila ua dedikon vazhdimisht një rubrikë sportistëve që kanë mundur të jenë triumfues, por që nuk ia kanë dalë kurrë.Disa për shkak se nuk janë përshtatur, disa për shkak të zgjedhjeve të trajnerëve. Kjo i ndodhi edhe ‘El Chino’. “Ndoshta kur ta lë futbollin, do të them: sa budalla kam qenë”, tha fillimisht uruguaiani. Recoba, ish-futbollist i preferuar i presidentit Massimo Moratti, gjatë 10 vjetëve në Inter përjetoi pak gëzime (një Kupë UEFA në vitin 1998 dhe një Scudetto më 2007). Sot, uruguaiani luan te Panioniosi i Athinës.

“Humbësi” Recoba kishte debutuar me dygolësh ndaj Brescias në fanellën Nerazzurre, në vitin 1997. “Për një çast mendova se çdo gjë do të ishte e lehtë, por nuk shkoi pikërisht kështu”, shtoi majtaku. Recoba ishte i bindur se të luante në Itali ose diku tjetër, në atë kohë, ishte njëjtë. Eksperienca në Serie A ishte shokuese. “E kuptova se nëse nuk do të luaja mirë, do të më zëvendësonin. Më pas u lëndova dhe nuk isha më kurrë në top formë. Shërohesha, por ende pa qenë i gatshëm plotësisht, ndieja se nuk isha mirë dhe nuk stërvitja”, shtoi Recoba.

Stërvitjet ishin pengesë e madhe për Recobën. “E di se çdo futbollist, për t’u përmirësuar, duhet të ushtrojë, por mendoj se unë nuk e kam pasur kurrë këtë dëshirë”, vazhdoi ai.

Përkundër kësaj, ai nuk kishte probleme në aspektin financiar. Në vitin 2001, Recoba ishte futbollisti më i paguar në botë: 7.5 milionë dollarë në sezon. “E kam një mënyrë të veçantë të lojës dhe gjithmonë e kam respektuar atë. Në Itali ky stil i lojës nuk ka shumë rëndësi, atje çon peshë vetëm rezultati. Është një vizion i lojës i kundërt me timin”, tha ai.

Për t’i vazhduar paraqitjet e rregullta, “El Chino” kishte vendosur të transferohej në një klub të mesit të tabelës në Greqi, me “më pak para dhe më pak stres”. “Dëshiroj ta përfundoj karrierën duke luajtur”, pohoi sulmuesi uruguaian.

Në fund, Recoba e pranon se ka bërë gabime. “Sikur të kisha bërë mund më të madh, do të shkonte ndryshe. Jam i bindur se të gjitha gabimet që i kam bërë, më kanë kushtuar. Nuk kam qenë asnjëherë ambicioz, kënaqesha me atë që kisha, pa u munduar asnjëherë që të përmirësohesha. Sot nuk e çaj këtë fakt, por jam i sigurt se kur do ta lë futbollin, do të them: çfarë budallai kam qenë”, përfundoi ‘gjeniu’ Alvaro Recoba.
Shtuar më 12/07/2009, ora 21:38
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori