Dhjete momentet me te rendesishme te Boterorit
Albeu.com
Andres Iniesta arriti të shënonte golin e fitores për Spanjën në lojën shtesë të finales, gol ky që Spanjës i solli titullin e parë të kampionit botëror. Iniesta shënoi golin e vetëm në finalen dramatike ...Fitimtari i turneut

Andres Iniesta arriti të shënonte golin e fitores për Spanjën në lojën shtesë të finales, gol ky që Spanjës i solli titullin e parë të kampionit botëror. Iniesta shënoi golin e vetëm në finalen dramatike ndërmjet Spanjës dhe Holandës, në të cilin takim Iniesta ishte lojtari më i mirë, por jo edhe lojtari më i mirë i Kampionatit. Ky shpërblim i takoi sulmuesit të Uruguait, Diego Forlan. Holanda do të duhej të kishte një goditje nga këndi vetëm disa sekonda para se Iniesta të shënonte gol. Topi i goditur nga gjuajta e lirë u devijua nga muri i mbrojtjes spanjolle në vijën fundore të spanjollëve, por referi Howard Webb nuk referoi goditje nga këndi. Ndoshta ky moment do të harrohet shumë shpejt nga të gjithë njerëzite tjerë, përveç holandezëve.

Penalltia për Ganën

Vetëm dy minuta para përfundimit të takimit ndërmjet Ganës dhe Uruguait, Luis Suarez ndaloi me dorë në vijën e portës topin e gjuajtur nga Dominic Adiyiah. Pas kësaj ndaljeje me dorë të topit, Luis Suarez përjashtohet me karton të kuq dhe akordohet penallti në favor të ganezëve. Asamoah Gyan tregohet i pasaktë nga pika e bardhë, pasi goditja e tij përfundoi në traversen e portës. Loja më pas përfundoi pa fitues 1:1 dhe ishin penalltitë ato që përcaktuan fatin e fituesit çerekfinalist. Uruguai u tregua më i suksesshëm në ekzekutimin e penalltive dhe arriti të kalojë në gjysmëfinale.

Goli i mohuar i Lampardit

Ndoshta ky do të duhej të ishte momenti më i rëndësishëm për FIFA-n që të bindet për futjen e teknologjisë në futboll. Topi i goditur nga anglezi Frank Lampard kaloi vijën e portës gjermane për afro gjysmë metri, por ky gol u mohua nga arbitri Jorge Larrionda. As arbitri kruesor, Jorge Larrionda dhe as asistenti i tij, Mauricion Espninosa, nuk e panë topin që kishte kaluar vijën e portës, duke ua mohuar anglezëve një gol të pastër. Kjo ishte një mundësi shumë e mirë për t'u barazuar rezultati në 2:2 dhe me gjasë nëse do të pranohej ky gol edhe rrjedha e lojës ndoshta do të ndryshonte. FIFA më herët ka thënë se do të rishqyrtojë idenë e futjes së teknologjisë në fushë edhe pse gabimet në futboll, sipas saj, janë gabime njerëzore.

Rikthimi i amerikanëve kundër Sllovenisë

Derisa amerikanët ishin në disavantazh prej 2:0 nga Sllovenia në pjesën e parë të lojës, amerikanët në pjesën e dytë rikthyen rezultatin dhe arritën që ta barazojnë atë në 2:2. Ky barazim erdhi falë golave të dy lojtarëve më të mirë amerikanë, Landon Donovan dhe Michael Bradley. Po ashtu, ky takim do të mbahet në mend edhe për golin që iu mohua Maurice Edus nga referi malian, Koman Coulibaly, nga një gjuajtje e lirë. Sikur të numërohej goli, amerikanët do të fitonin 3:2 ndaj Sllovenisë. Ky ishte edhe një dështim në mungesë të teknologjisë në fushë.

Donovan, shpëtimtar kundër Algjerisë

Landon Donovan argumentoi se është lojtari më i mirë amerikan gjatë gjithë historisë së futbollit në këtë vend. Donovan arriti të shënojë golin e fitores për amerikanët në momentet e fundit të lojës kundër Algjerisë. Goli nuk ishte i rëndësishëm vetëm për faktin që iu mundësoi amerikanëve kalimin e grupit, por ishte i rëndësishëm edhe për karrierën e vet Landon Donovanin. Një proverb amerikan thotë: "Për hir të shëndetit kombëtar, ju lutem, mos i lini gjërat për fund përsëri".

"Dora e vdekur" e Robert Greenit

Edhe një moment në të cilin ishte e përfshirë SHBA-ja. Portieri anglez Robert Green bëri një gabim trashanik pasi nuk arriti ta ndalojë si duhet gjuajtjen e lehtë të sulmuesit amerikan Clint Dempsey, e cila përfundoi në rrjetën angleze, me çka edhe u barazua rezultati në 1:1. Taktika e trajnerit amerikan Bob Bradley në atë takim ishte që të gjithë lojtarët të kalonin në sulm.

Henry pagoi në Botëror mallkimin irlandez

Thiery Henry luajti me qëllim me dorë dhe më pas asistoi për William Gallasin që shënoi kundër Irlandës në ndeshjen e dytë të barazhit. Me këtë gol Franca u kualifikua në Botëror, ndërkohë Henry u shpall "tradhtar" çdo kund, pos në Francë. Por, ky shërbim që i bëri Henry Francës nuk i shkoi për shtati as atij e as ekipit. Henry në asnjë prej ndeshjeve nuk luajti si titullar, ndërkohë që Franca u bë horë duke fituar vetëm një pikë në tri ndeshjet e grupit. Kjo nuk mjaftoi për të shkuar tutje dhe ekipi u eliminua. Më keq se me rezultate, ekipi francez u bë horë me sjelljet brenda kampit të tyre. Një lojtar, Nicolas Anelka, u përjashtua nga ekipi për fyerje ndaj trajnerit, ndërkohë që lojtarët bojkotuan një stërvitje para ndeshjes me Afrikën e Jugut, të cilën e humbën.

Largimi i papritur i Italisë

Kur Italia u mposht në vitin 1966 nga Koreja Veriore, pas kthimit në shtëpi, ata u sulmuan me domate nga italianët. Koha u përsërit për italianët edhe në Afrikën e Jugut. Ishin "Kivit" nga Zelanda e Re, ata që kontribuan në fatkeqësinë e largimit të "azzurëve" nga Botërori pas barazimit 1:1, në xhiron e dytë në kuadër të fazës grupore. Pastaj humbja nga Sllovakia me rezultatin 3:2 u mundësoi italianëve një fluturim të shpejtë për në Itali. Për herë të parë në histori ndodh që dy finalistet e Botërorit paraprak, Italia dhe Franca, të eliminohen qysh në fazën grupore.

Jabulani, topi që do të duhej t'u sillte fat të gjithëve

Gjithçka është thënë për topin Jabulani. Fjala "Jabulani", nëse përkthehet nga gjuha zulu, ka kuptimin "topi që u sjell fat të gjithëve", por kjo nuk ka vlejtur edhe për disa portierë gjatë këtij botërori, të cilët e kanë përshkruar këtë top si "top supermarketesh". Në këtë kampionat me këtë top u shënuan 145 gola (2.26 gola për ndeshje), pavarësisht se gjatë këtij botërori kishte shumë më shumë goditje sesa në turnetë paraprakë.

Vuvuzelat zhurmuese

Për një kohë të gjatë do të mbahen në mend edhe trumbetat e njohura si vuvuzela", që e bënë këtë botëror si më të zëshmin në histori të futbollit. Nga shumë federata të futbollit, lojtarë dhe kanale televizive u bë thirrje që FIFA të ndalonte përdorimin e vuvuzelave nga tifozët në këtë turne. Thirrjet u bënë me arsyen se ato kanë tingull shumë zhurmues dhe janë të dëmshme për veshët e njerëzve. Por FIFA i injoroi të gjitha thirrjet për largimin e vuvuzelave, duke thënë se përdorimi i tyre ishte kënaqësia e këtij botërori. (koha)
Shtuar më 16/07/2010, ora 11:45
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori