Dhuna ndaj arbitrit Bajramaj në Laç, zyrtari i kurbinasve mohon gjithçka
Rikthehet dhuna në Kategorinë Superiore dhe këtë herë pre e saj ka rënë arbitri kryesor i ndeshjes Laçi-Kukësi, Kreshnik Bajramaj. Burime për Supersport konfirmojnë se arbitri Bajramaj është dhunuar nga një zyrtar i klubit kurbinas, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes.

Zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit konfirmuan në mënyrë jozyrtare incidentin me arbitrin Bajramaj në Laç, por institucioni drejtues i futbollit nuk ka reaguar ende zyrtarisht për rastin në fjalë.

Ndërkohë mbrëmë vonë ishte drejtuesi i klubit të Laçit, Naim Halili, i cili reagoi me një deklaratë publike, ku hidhte poshtë pretendimin e disa mediave se mund të ketë qenë ai zyrtari qe goditi arbitrin Bajramaj dhe theksonte se menjëherë pas ndeshjes shkoi pranë skuadrës në dhomat e zhveshjes.

Laçi ia doli të triumfojë 3-2 ndaj Kukësit, por një karton i kuq për kurbinasit dhe dy penallti në favor të verilindorëve, duket se nuk u kanë pëlqyer drejtuesve të klubit bardhezi, të cilët kanë dhunuar arbitrin Bajramaj.

Reagimi i zyrtarit të Laçit, Naim Halili:
Pas përfundimit të takimit që Laçi luajti kundër Kukësit është raportuar dhe abuzuar nën emrin tim sikur ka ndodhur një incident midis meje dhe arbitrit Kreshnik Bajrami. Deklaroj me përgjegjësi se këto akuza dhe këto lajme janë të rreme dhe të sajuara, me qëllim prishjen e qetësisë dhe imazhit të klubit të Laçit.

Këto nuk janë asgjë tjetër veçse dashakeqësi e dikujt apo e disave për të mbuluar gabimet e tyre. Po sqaroj pozicionin tim: Unë jam Naim Halili dhe nuk kam qenë aty fare. Sapo ndeshja ka përfunduar unë kam shkuar në dhomat e zhveshjes te lojtarët e ekipit tonë, e nuk ka asnjë mundësi që unë të jem në dy vende njëkohësisht.

Ç’lidhje kisha unë me arbitrin, aq më tepër kur ekipi ynë fitoi? Ai apo disa dëshirojnë të kamuflojnë gabimet e tij apo të tyre, duke akuzuar për dhunë. Unë nuk jam dhe as nuk do të jem kurrë pro dhunës. E gjithë kjo sajesë është me prapavijë të qartë denigrimi të suksesit të ekipit tonë, të njollosjes së ekipit tonë. Nuk mund të mbulohen gabimet trashanike me apo pa dashje me akuza qesharake. Distancohem nga ngjarje të tilla të sajuara, e ftoj organet kompetente të marrin masa për sajesa të tilla.

Ekipi ynë, klubi jonë, dhe i gjithë stafi i Laçit është ekstremisht kundër dhunës dhe pro ‘Fair Play’. Sporti bashkon, nuk ndan, ndaj ju bëj thirrje mediave të jenë të kujdesshme në dhënien e lajmeve, sidomos kur ato janë të sajuara e të rreme. Të lutem, dua edhe pamjet filmike. Nē tē kundērt do tē ngre padi penale, për prishje imazhi.

Me respekt, Naim Halili!.
Shtuar më 10/01/2021, ora 10:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori