Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit do të shqyrtojë të enjten ngjarjet e ndodhura në Pogradec, në sfidën mes Skënderbeut dhe
Flamurtarit. Klubi vlonjat, nëpërmjet një shkrese zyrtare, ka kërkuar 3 pikët në tavolinë për këtë takim, për shkak se u godit
gjyqtari anësor nga një tifoz korçar.
Në bazë të rregullores, Flamurtari mund ta përfitojë një gjë të tillë, pasi
gjyqtari nuk ishte më në gjendje të vazhdonte ndeshjen, e cila pas golit të dytë të korçarëve vazhdoi vetëm më një ekip në fushë, duke qenë se vlonjatët qëndruan pasivë. Arbitrat kanë dorëzuar raportet e tyre mbi këtë takim, që u ndërpre për 14 minuta pas gjakosjes së gjyqtarit anësor Çokaj.
Ndërkohë, pritet që edhe klubi i Skënderbeut të dënohet me një gjobë prej 2 milionë lekësh dhe zhvillimin e 6 ndeshjeve pa spektatorë. Komisionit i Disiplinës do të marrë gjithashtu në shqyrtim edhe trajnerin e
Flamurtarit Shkëlqim Muça, që rrezikon të pezullohet, pasi nxiti lojtarët e tij të qëndronin pasivë në fushën e lojës.
Incidentet e shfaqura në ndeshjen mes Skënderbeut dhe
Flamurtarit kanë ndikuar që klima në futbollin shqiptar të rëndohet sërish, sidomos mes këtyre dy klubeve. Kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim
Gjika ka akuzuar Federatën dhe kreun e saj Armand Duka se është marrë peng nga kreu i klubit korçar Agim Zeqo.
Po ashtu,
Gjika ka bërë ironi me deklaratat e korçarëve se tifozi që goditi arbitrin anësor mund të ketë qenë nga Vlora. “Do të kërkojmë ekspertë të FBI-së për të zbuluar këtë rast”, ka thënë kryetari i bashkisë së Vlorës dhe njëkohësisht president i klubit Flamurtari. /albeu.com/
Shtuar më 02/02/2012,
ora 09:08