Digjet dhe griset flamuri shqiptar
Pëlqej
Albeu.com
Tifozëria greke rishfaq shenjat e racizmit në drejtim të shqiptarëve. Gjatë ndeshjes së djeshme të ekipeve Shpresa është djegur një flamur shqiptar, një tjetër është grisur ndërkohë që një tifoz është masakruar barbarisht.Një situatë tensioni ka mbizotëruar dje në Athinë gjatë ndeshjes së ekipeve “U 21”, ndërkohë ekipi shqiptar nuk ka pranuar që të vazhdojë lojën pa u rivënë në vend flamuri i grisur. Sot në orën 19.30, me orën tonë, pritet që të luhet ndeshja e ekipeve kombëtare por fryma e racizmit duket se nuk do të ndryshojë. Edhe një herë policia greke nuk ka treguar aspak vullnet për të ndaluar shtetasit e saj që kanë masakruar tifozët shqiptarë.
Djegia e flamurit
“Një tifoz shqiptar i plagosur, disa të tjerë të dhunuar, flamuri i djegur dhe i grisur, parulla antishqiptare”,- kjo ka qenë atmosfera në të cilën është zhvilluar dje ndeshja e ekipeve kombëtare “U 21” të Greqisë dhe Shqipërisë. Sapo dy ekipet kanë dalë në fushën e blertë të lojës, një grup tifozësh grekë kanë nxjerrë një flamur shqiptar dhe në shenjë demonstrative i kanë vënë flakën. Djegia e flamurit ka vazhduar përgjatë të gjithë kohës që këndohej himni shqiptar. Madje himni është shoqëruar edhe me fërshëllima të shumta dhe këngë antishqiptare nga rreth tre mijë tifozë grekë të pranishëm në stadium. Ndërkohë në stadium ishin vendosur një sërë tabelash raciste kundër lojtarëve dhe emigrantëve shqiptarë. Edhe këtë herë policia greke nuk ka bërë asgjë për të ndaluar këngët raciste ose djegien e flamurit kombëtar shqiptar. Forcat e policisë greke kanë vështruar qetësisht djegien e flamurit dhe kanë ndërhyrë vetëm në momentet e fundit për të shuar flakët në stadiumin “Nea Zmirni”.
Plagosja e tifozit
Pas këtyre incidenteve të fillimit, ndeshja ka vazhduar e qetë por vetëm për disa minuta. Ndërsa po afrohej gjysma e pjesës së parë të ndeshjes, një grup tifozësh grekë u janë afruar disa shtetasve shqiptarë që ndodheshin në stadium. Ata kanë arritur që të kapin njërin prej tifozëve shqiptarë duke shfryrë ndaj tij një dhunë të paparë. Sipas një dëshmitari në vendngjarje, një i ri shqiptar është rrethuar nga një grup tifozësh grekë, të cilët e kanë goditur me grushta dhe shkelma dhe më pas e kanë lënë në tokë të gjakosur. Ndërkohë edhe disa tifozë të tjerë shqiptarë kanë pësuar dhunë në stadium. Policia greke sërish ka ndërhyrë me vonesë për të parandaluar rrahjen barbare të tifozëve shqiptarë që po ndiqnin ekipin e tyre kombëtar. Ndërkohë, një grup tifozësh grekë kanë sulmuar dhe rrahur një të ri shqiptar i cili po kalonte me motor afër stadiumit. Pas këtyre ngjarjejeve, policia ka ndaluar qindra tifozë manifestues, të cilët mbanin në dorë pankarta, ku ishin shkruajtur në greqisht kërcënime në drejtim të tifozëve shqiptarë, që kishin shkuar në Athinë për të parë ndeshjen. Në atë zonë kishte disa pankarta të tjera, të cilat ishin shkruajtur greqisht dhe shqip, ku thuhej që duhet të respektonin "vëllezërit shqiptarë" dhe "emigrantët shqiptarë në Greqi".
Pezullimi i ndeshjes
Gjatë pushimit të pjesë së parë të ndeshjes, tifozët grekë kanë rishfaqur sërish shenjat e racizmit. Ata i janë afruar tre shtizave ku ndodheshin flamuri grek, shqiptar dhe flamuri i FIFA-s. Disa prej tifozëve kanë tërhequr flamurin shqiptar dhe pasi kanë thyer shtyllën kanë mundur që ta marrin atë. Pas kësaj ata e kanë grisur flamurin shqiptar në shenjë kërcënimi ndaj tifozëve dhe lojtarëve që ndodheshin aty. Kjo skenë ka sjellë reagimin e menjëhershëm të ekipit kombëtar “U 21” të Shqipërisë, i cili ka refuzuar që të dalë në fushën e blertë të lojës. Lojtarët shqiptarë nuk kanë pranuar që të vazhdojnë ndeshjen deri në momentin që flamuri i grisur të zëvendësohej. Kjo ka sjellë ndërprerjen e lojës për disa minuta deri sa zyrtarë të stadiumit grek kanë mundur që të gjejnë një tjetër flamur. Ata e kanë rivendosur flamurin shqiptar në vendin e tij dhe ekipi ynë është rikthyer në fushë. Ndryshe nga atmosfera në shkallët e stadiumit, në fushën e blertë të lojës gjithçka ishte korrekte. Lojtarët shqiptarë dhe ata grekë treguan “Fair Play” dhe ndeshja është zhvilluar pa asnjë incident në fushë.
Gazeta Shekulli
Shtuar më 30/03/2005, ora 19:24
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori