Dimër pa trajner për Shqipërinë
Kombëtarja e Shqipërisë vazhdon të jetë pa trajner. Besnik Hasi, njeriu që pritej të thyente “hegjemoninë” e trajnerëve të huaj në krye të kombëtares, ka dhënë përfundimisht përgjigje negative, duke u mjaftuar me justifikimin “s’më lë Anderlehti”. Ky version, i servirur “dorazi” nga vetë ish-lojtari kuqezi, dhe që në njëfarë mënyre është pranuar edhe nga institucioni i futbollit, është pak i besueshëm për opinionin sportiv.

Refuzimi i gjakovarit Hasi e ka vënë në pozitë shumë të vështirëPresidentin e Federatës Armando Duka. Ai e konsideronte punë të kryer marrëveshjen me 40-vjeçarin e Anderlehtit dhe tashmë ka mbetur me gisht në gojë. Sepse e ka shumë të vështirë të gjejë një trajner të huaj me reputacion, duke e paguar aq sa Kuzhen, apo më pak. Kreu i federatës kërkon me ngulm një emër të ri, por CV-të që i kanë mbërritur në tavolinë nuk e bindin kollaj.

Dje është përfolur edhe emri i Havier Klementes, por Federata e di mirë që është shumë i shtrenjtë për Shqipërinë. Duka ka një arsye më shumë për ta shtyrë për në pranverë zgjedhjen e trajnerit: do ta paguante të paktën 4 muaj më pak, çka do të thotë gati 100 mijë euro kursim. Të paktën FSHF ka Mustedanagiç, i cili mund ta bëjë kollaj punën e trajnerit në dy miqësoret e ardhshme, më pas do vendoset për tranjerin. /albeu.com/
Shtuar më 06/11/2011, ora 09:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori