Disiplina vendos sot për dhunën në Kamzë
Komisioni i Disiplinës do të vendosë sot për atë që ndodhi pas ndeshjes KamzaLaçi 1-1, e luajtur të dielën. Dhunimi i gjyqtarit Eldorian Hamiti dhe për më tepër pjesëmarrja në këtë akt e drejtuesve të klubit të Kamzës, pritet të sjellë një dënim ekstrem nga Disiplina. Në fakt, kjo është diçka e paralajmëruar nga vetë FSHF, që reagoi ashpër që në ditën e ngjarjes.

Duke iu bazuar edhe Kodit të Disiplinës Sportive, sipas të gjitha gjasave, sot Kamza do të përjashtohet nga kampionati dhe ndeshjet e mbetura në Superiore do të fitohen 3-0 nga skuadrat që në kalendar kanë të parashikuar takimin me ekipin e dënuar. Herën e fundit që një skuadër në Superiore ka marrë dënimin ekstrem është rasti i Bylisit në vitin 2014, kur u dhunua delegati i ndeshjes Besnik Çela. Kodi i Drejtësisë Sportive parashikon për raste të tilla përjashtim nga aktiviteti, hiqje pikësh dhe humbje në tavolinë.

NENI 65 Ky nen i referohet dështimit në përmbushjen e përgjegjësive, ku ndër të tjera parashikohen dënime të ndryshme: “Në rastet e shkeljeve të rënda mund të ndërmerren dënime si zhvillim i ndeshjes pa spektatorë, zhvillimi i ndeshjes në fushë asnjanëse, ndalimi i zhvillimit të ndeshjes në stadiumin përkatës, anulimi i rezultatit të ndeshjes, përjashtimi nga një garë ose kampionat dhe humbje e ndeshjes në tavolinë.

Në rastin e hyrjes brenda pjesës së rrethuar të fushës së lojës të ndonjë personi, duke shkaktuar akte të dhunës ndaj lojtarëve në fushë, dhe/ose zyrtarëve të ndeshjes, dhe/ose ndërprerje të lojës, ekipi përgjegjës për sigurinë në stadium ose ekipi përgjegjës për aktet e kryera do të penalizohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0, si dhe zhvillimin e të paktën 4 ndeshjeve pa spektatorë. Organi gjykues ka të drejtë të vendosë dënime edhe nëse nuk është verifikuar ndonjë shkelje e përcaktimeve këtu në këtë Kod, por thjesht për çështje të mospërmbushjes së standardeve të sigurisë".
Shtuar më 06/03/2019, ora 09:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori