Ditë e rëndësishme për Milanin, drejtuesit takim me Raiolan për dyshen Donnarumma-Ibra
Vetëm disa javë më parë dukej e pamundur, por në Milano ngjarjet në ditët e fundit kanë ndryshuar rrjedhë papritur.

Konfirmimi i Piolit në krye të stolit kuqezi do të pasohet me zgjatjen e kontratave të dy lojtarëve ndër më të spikaturit në organikën e “Djallit”, Ibrahimovic dhe Donnarumma.

Sot pritet takimi mes menaxherit Mino Raiola dhe drejtuesve më të lartë të klubit, pas disa kontakteve telefonike në orët e fundit. Vullneti i palëve është që të vijojë bashkëpunimi.

Për Gigio Donnarumman situata është e qartë dhe nuk duhet të ketë surpriza. Ajo do të zgjatë kontratën, që i skadon në vitin 2021, me të njëjtën pagë (6 milionë euro në sezon), plus bonuset, deri në verë të vitit 2023. Mbetet për t’u zgjidhur nyja e klauzolës së ndërprerjes së kontratës (e largimit), problem që pritet të kalohet pa vështirësi.

Për Ibrën çështja është disi më e ndërlikuar. Kontrata e tij skadon në fund të këtij sezoni dhe Milani nuk ka ndërmend t’i paguajë të njëjtën pagë (3 milionë për 6 muaj). Lojtari është i gatshëm të pranojë uljen e pagës në mënyrë që të mbetet te kuqezinjtë (konfirmimi i Piolit ishte vendimtar), por gjiganti suedez nuk ka ndërmend të heqë dore nga një shifër e konsiderueshme.

Paga e Ibrës është 6 milionë euro në vit, maksimumi që Elliott dëshiron të shpenzojë për të është 4 milionë. Marrëveshja për një sezon duket se është shumë pranë, por palët duhet të tolerojnë që të dalë tymi i bardhë.
Shtuar më 28/07/2020, ora 16:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori