Ditët e Bale te Tottenham dëshmojnë rënien e madhe të uellsianit
Me të kompletuar seancën e fundit stërvitore përpara duelit të Tottenhamit kundër Evertonit në Kupën FA, Gareth Bale postoi një fotografi inkurajuese për 43.7 milionë ndjekësit e tij në “Instagram”: “Seancë e mirë stërvitore sot”.

Megjithatë doli që nuk ishte seancë aq e mirë për uellsianin, i cili pas stërvitjes u njoftua nga shtabi teknik i skuadrës se nuk do të ishte me pjesën tjetër të ekipit, që do të udhëtonte të përballej me Evertonin në stadiumin “Goodison Park”.

Sipas trajnerit të Tottenhamit, Jose Mourinho, Bale “nuk ndihej rehat” me një dëmtim të mëparshëm dhe informoi zyrtarët e klubit se do të duhej të punonte me departamentin e shkencës sportive në vend që të udhëtonte.

“Unë nuk mendoj se është një dëmtim aq serioz”, tha Mourinho, duke shtuar se ai ishte “befasuar” nga gjendja e fundit fizike e një lojtari të brishtë, i cili gjithnjë e më shumë po e bind portugezin se nuk mund të mbështetet tek ai.

Pra, një tjetër pengesë për Balen. Dhe, në mënyrë zhgënjyese, një tjetër pushim i mundshëm te Përfaqësuesja e Uellsit, pasi Bale nuk e ka marrë veten pavarësisht që u kthye te Tottenhami. Bale është paraqitur në vetëm gjashtë nga 22 ndeshjet e Tottenhamit në Premier League, pasi u huazua tek ekipi anglez në muajin shtator nga Real Madridi, ekip tek i cili ishte bërë një i dëbuar dhe padëshiruar.

Vetëm në dy prej këtyre ndeshjeve Bale ishte titullar. Dhe ai ka luajtur vetëm një ndeshje për 90 minuta në 15 paraqitjet e tij në të gjitha garat, të cilat kanë qenë kryesisht në Ligën e Evropës dhe kupat e futbollit anglez.

Kthimi në shtëpi, i trumbetuar gjerësisht, ka qenë një shkatërrim i madh për Balen.

“Kur po e shikoj tani, duket se ai është gjithmonë në ndeshjen e tij të parë pas një dëmtimi. Padyshim, ne prisnim që ai të ishte në formën e tij deri tani, por ai qartë nuk është”, tha Chris Coleman, ish-trajneri i Balet te Uellsi. “Vështirë se Bale mund të jetë ai i dikurshmi duke pasur parasysh formën fizike dhe mungesën e besimit”.

Coleman, i cili kishte një lidhje të fortë me Balen tek Uellsi, tha se ai nuk ishte gati ta “fshinte” akoma Balen me gjithë formën e dobët që kishte te Reali. Ai kishte shpresuar se kthimi te Tottenhami do të ishte një pikë kthese për sulmuesin uellsian. Por nuk mund të mohohet që karriera e 31-vjeçarit është në një trajektore në rënie, pasi Bale nuk duket aspak si lojtari që u transferua në Madrid për një dëmshpërblim rekord prej 100 milionë eurosh në vitin 2013.

Një largim nga Madridi ishte i domosdoshëm për Balen pas prishjes së marrëdhënieve me trajnerin Zinedine Zidane, i cili përdori uellsianin për rreth 100 minuta në ndeshjet e kampionatit të shkuar, që përfundoi në qershor për shkak të pandemisë së koronavirusit. Bale nuk udhëtoi as në Manchester City për ndeshjen e dytë të 1/8 së finales së Championsit me Realin në fillim të gushtit, në vitin e shkuar. Madje, Bale për këtë vendim ishte njoftuar shumë ma herët nga trajneri Zidane.

Bale edhe këtë të shtunë nuk do të jetë i pranishëm në stadiumin “Etihad”, kur Tottenhami do të përballet me Manchester Cityn në kuadër të Premier Leagues. Në fakt edhe sikur Bale të ishte në formë të mirë fizike, Mourinho nuk do ta kishte zgjedhur për transferim të plotë, pasi portugezi më herët ka deklaruar se Tottenhami nuk do ta shfrytëzojë të drejtën e blerjes së kartonit të tij, por do ta kthejë te Reali në fund të sezonit.

Edhe nëse Steven Bergwijn, Erik Lamela dhe Lucas Moura kanë mangësitë e tyre si futbollistë, që luajnë prapa sulmuesve Harry Kane e Son Heung-min, ata sërish janë zgjedhje më të besueshme për Mourinhon se Bale. Që nga paraqitja e dobët në humbjen 1:0 nga Brightoni, ku luajti 61 minuta, Bale ka qenë një rezervist i papërdorur në ndeshjet kampionale kundër Chelseat dhe West Bromwichit. Në fitoren 2:0 ndaj WBA-s të dielën, edhe sulmuesi 16-vjeçar Dane Scarlett doli përpara Bales. Një gol i Bale në kampionat që nga kthimi i tij në Angli mbetet momenti më i mirë i tij te Tottenhami. Pas golit të shënuar në nëntor të vitit të shkuar, të gjithë besuan se kthimi i tij te Tottenhami do të jetë i bujshëm. Mirëpo nuk doli ashtu. Bale u kritikua në muajt e fundit në Madrid, me disa që e shihnin atë si një të vetmuar që kujdesej më shumë për golfin sesa për futbollin. Dhe ishin shqetësimet mbi motivimin e Balet që detyruan gazetarët ta pyesnin Mourinhon se a ndikoi mungesa e Balet në humbjen nga Evertoni (5:4) në rrethin e pestë të Kupës FA.

Trajneri i Tottenhamit u tregua i drejtë, thjesht duke shpjeguar pse Bale nuk udhëtoi në vend se të jepte ndonjë fjalë mbështetjeje për uellsianin.

“Unë doja ta bëja shumë të qartë situatën, për të cilën unë jam plotësisht i hapur dhe i sinqertë”, tha Mourinho. “Bale duhej të qëndronte në klub për të punuar më shumë që ta kthejë formën e tij”.

Bazuar në këtë, nuk ka gjasa që Tottenhami të kërkojë ta mbajë Balen pasi t'i përfundojë huazimi në fund të këtij sezoni, duke pasur parasysh numrin e kufizuar të paraqitjeve dhe pagën e lartë.

Po ashtu, kthimi te Real Madridi duket i paimagjinueshëm për Balen dhe duket se një karrierë që dikur kishte shkëlqim të madh po perëndon. Bale ka kontratë me Realin deri në vitin tjetër.
Shtuar më 11/02/2021, ora 23:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori