Dovizioso fiton në Motegi
Andrea Dovizioso me Ducati fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Japonisë në Moto GP, duke triumfuar në pistën e Motegi dhe rihapur Botërorin.

Piloti italian bëri një mrekulli në xhiron e fundit, ku parakaloi kryesuesin e kampionatit Marc Marquez, në një garë spektakolare dhe me shumë rivalitet mes dy pilotëve. Dovizioso, edhe pse e nisi garën nga vendi i 9-të, bëri një paraqitje të shkëlqyer, duke rikuperuar një e nga një pozicionet dhe triumfuar. Tashmë diferenca mes tij e Marquez në renditje është vetëm 11 pikë, kur kanë mbetur edhe tri gara nga fundi.


Në podium u ngjit edhe piloti tjetër italian me Ducati Pramac, Daniele Petrucci e pas tij dy motorët Suzuki të Iannone e Rins si dhe motori tjetër Ducati i Jorge Lorenzo. Ai që zhgënjeu sot ishte Valentino Rossi, që u rrëzua që në xhirot e para, duke mos e përfunduar dot garën dhe heq përfundimisht dorë nga titulli kampion. Ai që shpreson ende është shoku i tij i skuadrës Maverick Vinales, i 9-ti, që duhet të bëjë mrekullinë në garat e mbetura.

Gara e sotme u zhvillua në një pistë të lagur prej shiut që kishte rënë dhe binte, duke i vënë pilotët në vështirësi. Por duket se Dovizioso ishte më komod në kushte të tilla, duke qenë më i shpejtë se rivalët dhe gjeti momentin e duhur për të parakaluar Marquez, atëherë kur nuk kishte më kohë, raporton TeleSport. Dy pilotët u përqafuan pas garës, shenjë se të dy zhvilluan një garë epike, duke dueluar deri në garën e fundit për titull.
Shtuar më 15/10/2017, ora 10:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori