Drama në Botëror: Si i eleminuan papritur Skocia dhe Argjentina? (VIDEO)
Një natë e jashtëzakonshme në Parc des Princes përfundoi me eliminimin tronditës të Skocisë, por edhe të Argjentinës, nga Kupa e Botës së vajzave, pasi që amerikano-jugoret e kthyen rezultatin përkundër që ishin duke humbur për tri gola me vetëm 15 minuta të mbetura nga fundi i ndeshjes.

Golat e shënuara nga Kim Little, Jen Beattie dhe Erin Cuthbert dukej se ia siguruan Skocisë kualifikimin në fazën e 1/8 të finales së Kampionatit Botëror të vajzave, mirëpo tri golat e Argjentinës brenda 15 minutave – e fundit e siguruar pas dy ndërhyrjeve të VAR-it në momentet e fundit të ndeshjes – e sollën një rezultat që nuk i bëri favor asnjërës skuadër.

Stadiumi në Paris ka qenë skena e disa momenteve dramatike deri më tani, mirëpo asnjë nuk mund të sigurohet me atë që ndodhi mbrëmë, kur Skocia u eliminua nga Botërori, me vetëm një pikë të grumbulluar nga tri ndeshjet e Grupit D.

Skocia e nisi ndeshjen në mënyrën më të përsosur, duke kaluar në epërsi me rezultat 3:0 (Kim Little 19’, Jennifer Beattie 49’ dhe Erin Cuthbert 69’), mirëpo Argjentina iu përgjigj me po aq gola afër fundit të ndeshjes (Milgaros Menendez 74’, Lee Alexander 79’ – autogol, Florencia Bonsegundo 90+4’ – penallti).

Momenti më dramatik i kësaj ndeshje erdhi vetëm disa sekonda para fundit, kur Sophie Hoëard e bëri një ndërhyrje të palejueshme ndaj Aidana Comettit brenda 16-metërshit. Pas konsultimit me VAR-in, gjyqtarja Ri Hyang Ok e akordoi penalltinë.

Portieria e Skocisë, Alexander, e priti goditjen e parë të Bonsegundos nga pika e penalltisë, mirëpo VAR-i i erdhi sërish në ndihmë Argjentinës. Portieria e Skocisë kishte lëvizur nga vija e portës para se Bonsegundo ta gjuante penalltinë, kështu që penalltia duhet të realizohej sërish. Bonsegundo u tregua e saktë në tentimin e dytë.

Barazimi nuk i konvenoi asnjërës skuadër dhe që të dyja tashmë janë eliminuar nga Kupa e Botës. /express/
Shtuar më 20/06/2019, ora 10:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori