Drejtori i Dortmundit tregon si ja vodhi Juves Haland
Drejtori sportiv i Borusias së Dortmundit, Mikael Cork, tregoi në një intervistë për “Sport Bild” skenarin e transferimit të Erling Halandit në Dortmund.

Norvegjezi ishte një ndër ato operacionet për t’u mburrur, pasi kujtojmë që refuzoi disa nga klubet më të njohura në Europë, si Juventusi dhe Mançester Junajtid, për të veshur fanellën e gjermanëve. Cork tregoi gjithashtu takimin që pati me agjentin e 19-vjeçarit, Mino Raiola, i cili zgjati shumë vonë, në natën e ndërrimit të viteve.

Mikael, transferimi i Erling Halandit në Dortmund ishte pa dyshim një surprizë për të gjithë tifozët. Po për ju?

Ishte një operacion që për ne shkoi sipas planit. Më duhet ta pranoj se nuk ishte diçka e lehtë, duke parë që për të interesoheshin klube të mëdha si Juventusi dhe Junajtid. Fakti që në fund ai vendosi për ne, na bën krenarë. Të gjithë e dimë se çfarë cilësish ka Erling, është vetëm 19 vjeç dhe ka treguar se është në rrugën e duhur për t’u bërë një nga sulmuesit më të mëdhenj në botë.

Çfarë plani keni me të?

Afatgjatë. Ai do të luajë për shumë vite këtu. Njerëzit mendojnë se klauzola e vënë është një mënyrë për të treguar si ai do të shitet. Në futboll jo çdo gjë rrotullohet rreth parasë. Tifozët duan të shohin skuadrën të fitojë trofe, të cilët mungojnë prej afro 1 dekade. Lojtarë të rinj si Erling, Rejna apo Sanço do të na ndihmojnë të rikthehemi në majën e futbollit europian shumë shpejt.


Të rikthehemi edhe një herë te transferimi. Çfarë keni biseduar me Raiolën?

Mino është një njeri shumë i vështirë, por ka shumë gjëra që më pëlqejnë tek ai. Te puna, ai është i palodhur dhe profesionist. Është i drejtpërdrejtë dhe që në fillim të tregon për situatën. Në fund nëse ke bërë një ujdi me të, ai nuk ta kthen shpinën, por e respekton atë.

Kjo do të thotë që Haland ishte një dhuratë e Raiolës?

Jo, nuk mund ta thuash këtë. Ne ishim interesuar më parë për Halandin dhe kështu futbollisti vendosi të vinte te ne, pas bisedimeve. Si e bindët Halandin? Përpara firmës me Erlingun, isha në telefon me Raiolën deri pak orë përpara mbrëmjes së ndërrimit të viteve. Ishte një telenovelë shumë e gjatë edhe me lojtarin, të cilin e bindëm përfundimisht, pasi i treguam edhe atmosferën që krijon muri ynë i verdhë i tifozërisë. Mendoj se ky ishte faktori që e bëri për vete Halandin.

Në kampionat gjithçka po ecën mirë, por sa do të ndikojë ky skualifikim që pësuat në Kupë?

Ndeshja ndaj Verderit u nis në mënyrën më të keqe të mundshme. Skuadra luftoi deri në fund për të barazuar, por ishte edhe merita e Verderit që dolën, pasi bënë një ndeshje të madhe. Tani jemi në garë për dy kompeticione, kampionat dhe Champions.


Në Bundesligë kemi rigjetur rimtin dhe kështu duam të vazhdojmë gjatë. Është herët për të folur për titull, Bajerni dhe Lajpcigu janë para nesh, por edhe ne jemi aty. Champions-i është një kompeticion ku është e vështirë të bësh parashikime. Por fillimisht të shohim si do të shkojnë 1/8-at me PSG-në.
Shtuar më 06/02/2020, ora 20:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori