Drejtori i Skënderbeut zbarkon në Nigeri
Të luash në fazën e grupeve të “Europa League” sigurisht që është madhështore për një ekip shqiptar. Skënderbeu e ka bërë të prekshme këtë arritje dhe tani mendon edhe për të ardhmen e klubit.

Synimi i presidentit Takaj është ndërtimi i një klubi modern, si të gjithë skuadrat e tjera Europiane, pjesë e të cilave është edhe Skënderbeu. Afrimi i drejtorit Sportiv në klub, Haris Fakiç, i ka dhënë një tjetër koncept politikës së klubit për lojtarët e rinj. Kështu, është rikonstruktuar akademia e Skënderbeut dhe rezultatet po shihen menjëherë.

Së fundmi, drejtori sportiv Haris Fakiç, së bashku me ndihmësin e tij Ertan Demiri kanë udhëtuar drejt kryeqytetit të Nigerisë, Lagos. Arsyeja sigurisht është për mbikëqyrjen e talenteve.

Në datat 11 – 19 nëntor, në bashkëpunim me Federatën e Futbollit në Nigeri, në dy qytete Lagos dhe Ere po zhvillohet turneu i talenteve të rinj “Real Sapphire”, në të cilin marrin pjesë lojtarë të moshave të vogla deri në 19 vjeç nga Nigeria, Gana, Kameruni dhe Kepi i Shpresës së Mirë.

Klubi i Skënderbeut është përgjigjur pozitivisht ftesës së Federatës Nigeriane dhe ka dërguar dy përfaqësuesit, drejtorin Fakiç dhe ndihmësin Ertan Demiri të cilët kanë vëzhguar dhe do të analizojnë të gjithë talentet.
Shtuar më 17/11/2015, ora 14:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori