Drogba pa skuadër dhe pa trofe
Didier Drogba, sulmuesi 34- vjeçar i Bregut të Fildishtë, humbi jo vetëm mundësinë për të fituar Kupën e Afrikës, një trofe që i mungon në karrierë, por mesa duket e ardhmja e tij nuk do të ketë as klub. Pasi mbeti pa trofeun e kontinentit të tij, largimi i afrikanit nga Kina, nga skuadra e Shangai Shenua, po bëhet më i vështirë sesa duket. Ndonëse Didier Drogba ka arritur akordin me klubin turk të Galatasaray, ku e presin 10 milionë euro për 1 vit e gjysmë, në Kinë këmbëngulin: "Didier ka një kontratë me ne dhe nuk do ikë pa na paguar diçka për kartonin e tij".

Ndërkohë, nga Galatasaray nuk kanë ndërmend të paguajnë asgjë më shumë sesa pagën e futbollistit, kështu që janë në pritje.

"Për momentin vetëm mund të presim. Nëse Drogba dhe Shangai nuk zgjidhin asgjë mes tyre, ne nuk mund të marrim dokumentacionin nga FIFA për të regjistruar lojtarin", thotë zëvendëspresidenti i Galatasaray, Refik Arkan.

Me pak fjalë, nëse situata nuk zgjidhet shpejt, ky vit mund ta gjejë Drogbanë jo vetëm pa titullin afrikan, por edhe pa klub, duke qenë se lojtari nuk ka ndërmend të luajë më për Shangain. /albeu.com/



Shtuar më 07/02/2013, ora 17:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori