"Dua të jem protagonist. E ardhmja? I lumtur te Milani"
Pëlqej
Në sfidën e parë të Serie A kundër Lazios ai ishte thjesht mbresëlënës dhe të gjithë në shtëpinë e Milanit kanë besim se ky do të jetë sezonit i shpërthimit të madh të Stephan El Shaarawy-it. Në një intervistë "Faraoni" foli për objektivat personalë dhe ato të skuadrës kuqezi.

"Synimi ynë në këtë sezon është të kapim zonën Champions. Me mua apo pa mua ekipi duhet të arrijë këtë objektiv. E di që pritshmëritë kundrejt meje janë të mëdha. Ashtu si e gjithë skuadra edhe unë jam gati për të zhvilluar një sezon të madh", është shprehur numri 92 i "Djallit".

Më pas sulmuesi i përfaqësueses italiane foli për trajnerin e ri të Milanit Filippo Inzaghin.

"Të drejtosh një skuadër të madhe si Milani nuk është asnjëherë e lehtë, sidomos në moshën e tij. Gjithsesi dëshira e Inzaghit për të bërë mirë është shumë e madhe dhe unë mendoj se do të jetë shumë i sukseshëm këtu", vijoi El Shaarawy.

Këtë verë Milani humbi një lojtar të rëndësishëm si Balotelli i cili u transferua në Angli tek Liverpool. Por për El Shaarawëy-n Supermario do të mbetet një shok shumë i mirë.

"Balotelli është një futbollist fantastik. Në momentin që ai u largua nga skuadra u përqafuam dhe Supermario më tha: 'Shpresoj që të rikthehesh shumë shpejt ai i dikurshmi', ndërsa unë iu përgjigja atij: 'Jam i sigurt se te Liverpooli do të bësh shumë mirë'. Asnjëherë nuk më shkuar nëpërmend ideja se prania e Balotellit në formacionin e Milanit ngushtonte hapësirat e mia në fushë. E kundërta gjithmonë kam menduar se së bashku mund të përshtateshim shumë mirë", ka thënë "Faraoni".

Në fund një koment i 21-vjeçarit për të ardhmen: "Në futboll asgjë nuk është e sigurt, pasi gjithçka mund të ndryshojë nga një moment në tjetrin. Por unë jam i lumtur që ndodhem këtu tek Milani, kam besimin e të gjithëve dhe tifozët më duan". /albeu.com/
Shtuar më 06/09/2014, ora 18:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori