"Dua titullin, Milani sfida më e madhe e jetës", rrëfimi 360 gradë i Ibrës
Nga Kaljari në 2020-ën tek i njëjti ekip një vit më pas. Zlatan Ibrahimoviç ka lënë pas dy dëmtime dhe është gati për Milanin.

Sulmuesi është rrëfyer në një intervistë për “Corriere dello Sport” duke folur në 360 gradë për 12 muajt e fundit e për atë që pret nga ekipi, nga vetja dhe karriera e tij.

Zlatan, çfarë është një gol?

Një përgjegjësi imja. Një detaj që të ndihmon të fitosh, por jo një ekskluzivitet imi. Edhe kur shërbej për një shok që shënon, ndiej se e kam bërë mirë punën time.

Një vit më parë erdhët te Milani dhe e ngjitët në vendin e gjashtë në pak muaj, teksa tani e mbani në krye. Nëse mund ta quajmë efekti “Ibra”, a mund të na e shpjegoni?

Ndihem lider. Drejtoj dhe ekipi më ndjek. Një dekadë më parë ishte një tjetër Milan, ndërsa ky aktual është tepër i ri. Punuam dhe sakrifikuam shumë e ja ku janë rezultatet. Merita nuk është e gjitha imja.

Mbase por dallimi i madh jeni pikërisht ju…

Nuk flas dot për atë që ishte përpara ardhjes sime. Po bëjmë gjëra të mira, por njëkohësisht nuk kemi fituar ende asgjë. Kemi dëshirë të bëjmë më tepër.

Prandaj u bletë të gjithëve videolojra, që të mos hutoheshin më gjëra të tjera?

Në fakt, unë u propozoja t’ua blija me çmim të mirë. Atyre që e kërkuan menjëherë, ua dhurova, ndërsa ata që e kuptuan vonë i refuzova sepse mundën të kuptonin se me kë kishin të bënin. Tani më dëgjojnë siç duhet.

Po Kalulusë përse ia hoqët dorashkat?

Një djalë i ri që debuton nuk mund të luajë me dorashka. Kur i druhesh të ftohtit, si pretendon të trembësh kundërshtarët?

Dhe ju jeni nga ata që mbrojtësit i njihni mirë…

Kam admiruar gjithmonë ata që pranonin duelin e ashpër dhe sportiv. Mos harroni që dikur nuk kishte VAR. Maldini, për shembull, më stimulonte. Sot më thotë që nuk kam qenë më i fortë, por i them se nuk mbaj mend të dilte gjithmonë fitimtar ndaj meje. Më pëlqen shumë edhe Kielini, një kafshë që ndjek gjithnjë gjahun e tij. Kjo është mendësia e duhur.

Po Donarumës çfarë i thoni?

Është më i forti në botë, por nuk ia them sepse duhet të vazhdojë të ketë uri për sukses. Nuk është normale që ende nuk ka provuar të luajë në Ligën e Kampioneve.

Normal, Milani ka shtatë vjet që nuk shkon në Champions. A mundet kjo skuadër të mbërrijë mes katër të parave?

Është pak herët për të thënë diçka të tillë. Fundja për fazën e parë nevojiten edhe dy ndeshje. Unë mendoj që nuk duhet të synojmë vetëm diçka. Objektivat për mua janë kufij dhe nuk i vendos kurrë. Kur del i dyti, je vetëm i parë mes humbësve. Pretendoj më të mirën nga vetja dhe shokët. Çdo ditë. Në çdo seancë stërvitore.

A është normale që Milani të jetë kaq shumë kohë larg elitës?

Jo. As për klubin e as për tifozët. Me gjithë respektin për Atalantën, por kur i shoh ata në Champions dhe jo Milanin, nuk më pëlqen. Erdha këtu për të ndryshuar këtë situatë dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur në klub gjatë shtatë viteve të fundit. Është e qartë kur një klub nuk ka stabilitet, atëherë as ekipi nuk do ta ketë.

Pra, ishte ky shkaku që gjatë izolimit patët një debat me Gazidhisin?

Ishim të gjithë të mbyllur nëpër shtëpi dhe nuk ndodhte asgjë. Ekipi duhej të kthehej në stërvitje dhe kërkuam shpjegime që nuk po i merrnim nga drejtuesit. M’u desh të kuptoja se çfarë po ndodhte dhe i kërkova personalisht shpjegime. Situata u qartësua vetëm pas konfirmimit të Piolit. Ishim të stresuar sepse na gjykonin pa na dhënë mundësinë të tregonim në fushë se kush ishim, megjithatë nuk na ka munguar kurrë besimi te vetja. Gjithsesi, le të flasim për të tashmen e të ardhmen.

Në rregull. Na flisni për raportin me Piolin pasi dukeni dy tipa shumë të ndryshëm…

Ai na stërvit dhe unë luaj. Më jep urdhra e unë i zbatoj. Ka besim tek unë dhe më jep këshilla që më pëlqejnë. Kjo i balancon gjërat mes nesh e më bën të ndihem mirë brenda dhe jashtë fushe.

Sezonin e kaluar edhe ai ishte në situatë të vështirë pasi çdo ditë mund të ishte e fundit për të te Milani. Dikush tjetër do të ishte larguar për të gjetur një ambient me më tepër besim, ndërsa Pioli çdo ditë u dërgonte lojtarëve mesazhe pozitive. E tregoi me fakte se është trajner i duhur për një klub të madh.

Ju e ndihmuat Milanin, por së bashku me Ronaldon po rritni edhe Serinë A…

Secili prej nesh mundohet të japë maksimumin për ekipin, të jetë më i miri. Se cili është vërtet më i miri nuk e gjykojmë dot ne.

Tani që jeni në Itali, ky vend nuk dëshiron t’ju humbasë. Kur do të rinovoni?

Për sa kohë jam mirë me shëndet, do të vazhdoj. Në fund të sezonit do të flas me drejtuesit sepse nuk doja një kontratë që të më mbante peng apo nëpërmjet saj të mbaja unë peng klubin tim. Jam mbështetës i lirisë së mendimit, ndaj edhe nuk vendos kufij.

Ndërkohë, djemtë tuaj po stërviten në akademinë e Milanit. Do të transferohen?

Nuk e di, nuk e përjashtoj si mundësi.

Çfarë do të thotë për ju që të sakrifikosh, të sfidosh moshën e të luash 1000 ndeshje?

As që e kam idenë se sa ndeshje kam luajtur, ndaj le të mos përmendim shifra sepse ndihem i plakur më pas. Sfida ime në këto momente është që të bëj më të pjekur një ekip shumë të ri. Kjo është një situatë krejt tjetër nga ato që kam qenë mësuar në karrierën time. Nëse ia dal mbanë, do të jem edhe më i lumtur sesa pas një trofeu.

Koronavirusin e patë nga afër. Si i përjetuat ato ditë?

Kur më dhanë diagnozën, nuk e dija se çfarë duhet të prisja. Lexoja e dëgjoja gjithfarëlloj lajmesh, por nuk arrija të kuptoja. Teksa prisja simptomat, qëndroja në shtëpi, shikoja muret dhe koha nuk kalonte. Një ditë u shfaqën shenjat që për mua ishin dhimbje të forta koke dhe shpine. Disa ditë më pas humba edhe shijen, megjithatë nuk pata kurrë temperaturë. U deshën 16 ditë që të negativizohesha dhe kur stërvitesha në shtëpi, e vija re që lodhesha shumë shpejt.

Ishte gjatë atyre ditëve që e menduat të jeni instruktor fitnesi në rrjet?

Shiko, pandeminë më shtrenjtë do ta paguajnë brezat e rinj që nuk po arrijnë të shkojnë në shkollë apo të merren me sportnë natyrë. Vitet në vijim për ata do të jenë ndryshe e nëse vijon kjo situatë, shumë shpejt do të na venitet dëshira për të shkuar nëpër palestra apo për të qëndruar pranë njëri-tjetrit si dikur.

Po te Hamarbi përse vendosët të investonit?

Për të kuptuar nëse mund të ndërtoj një lloj tjetër futbollisti sepse në Suedi nuk ka Ibrahimoviçë e unë do të doja që të kishte. Në fakt, është njëri që më ngjan mua, por nuk duket si suedez. E kam fjalën për Emil Robakun që ka shpejtësi, fizik dhe teknikë. Jo më kot është pjesë e Milanit. Mendoj se shumë shpejt do ta shohim në ekipin e parë.

Duket sikur jeni një Zlatan tjetër, tashmë mendoni më shumë për të tjerët…

Epo jam thuajse 40 vjeç. Nuk më pëlqen ta pranoj, por kjo është e vërteta. Kur isha i ri, kisha emocione, ndërsa tani kam përvojë. Edhe në fushë bëj më pak lëvizje, megjithatë di të jem më i dobishëm. Shumë kolegë vendosin të largohen kur prekin 35 vitet, por kush është inteligjent, mund të përshtatet e të vazhdojë të luajë.

Ka shumë aspekte të vështira në fëmijërinë tuaj, por cili prej tyre ju ka bërë ky që jeni sot?

Unë e di cili jam e po ashtu e dinë edhe njerëzit që më qëndrojnë pranë. Nuk më intereson se çfarë thuhet për mua sepse nuk mund t’u shmangem fjalëve të atyre që flasin pa më njohur.

Fjalëve mbase jo, por Europës iu shmangët kur zgjodhët Amerikën…

Atje zbulova se isha ende një lojtar i gjallë pas dëmtimit. Shpenzova një vit në Los Anxhelos vetëm për të kuptuar se si ishte gjendja ime, ndërsa në sezonin e dytë nisa të ndjek objektivat sepse doja të kuptoja nëse mund të vazhdoja të luaja apo jo.

Dhe e kuptuat mirë me sa duket?

Menaxheri im Raiola më provokoi. Më tha se të luaja deri në fund në Amerikë ishte shumë e thjeshtë. Dhe unë zgjodha Milanin sepse ishte sfida më e vështirë dhe ishte pikërisht ajo që më nevojitej.

Në të ardhmen do të jeni drejtues apo trajner?

Nuk zotohem për të tilla gjëra. Trajneri më duket rol stresues, megjithatë jetës nuk i dihet kurrë. Për momentin më pëlqen më tepër të jem në fushë.

Ja pra që ka njerëz që thonë se cilësia e futbollit ka rënë shumë. Jeni dakord?

Për mendimin tim është përmirësuar dhe teknologjia i ka bërë më të qarta disa situata. Sigurisht që duhen sqaruar prekjet e topit me dorë sepse vjet në Firence më anuluan golin e vitit. Futbolli ka ndryshuar dhe më parë e vendosnin vetëm lojtarët më të mirë. Sot ka ekipe që arrijnë elitën falë forcë së grupit, siç po thosha më parë për Atalantën që prej dy sezonesh po bën arritje të mrekullueshme. Kohët e fundit kam dëgjuar edhe për krijimin e një Superlige, çka më duket një lojë politike mes UEFA-s dhe FIFA-s.

Kulusevski ju dëshiron në kombëtare. Do të ktheheni?

Sigurisht, por gjithçka varet nga unë dhe forma ime. Suedia ka nevojë për cilësi e jo thjesht për emrin tim.

Epo paçi fat, sidomos për t’u shpallur kampion dimri si fillim!

Nuk më intereson që në fund të kampionatit të kuptoj se isha thjesht kampion dimri.
Shtuar më 17/01/2021, ora 21:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori