Duka: Çunat tanë e dashurojnë fanellën
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka folur pas ndeshjes kundër Zvicrës duke thënë se Shqipëria e meritoi së paku një pikë me lojën që zhvilloi.

Shqipëria pësoi me rezultat 0-1 në ndeshjen e parë në një Kampionat Evropian kundër Zvicrës.

Duka është shprehur se me rastin më të mirë në ndeshje e pati Gashi, pasi sipas tij sikur të shënohej ai gol do të sigurohej një pikë.

“Ajo e Gashit ishte një rast shumë i pastër dhe ishte në momentin e duhur, pasi një gol aty do të siguronte një pikë, por ky është futbolli, ne e pritëm me shumë kënaqësi e gëzim këtë ndeshje.
Duke e parë atë që dhamë në fushë na mërzit fakti që humbëm, sepse të paktën një pikë e meritonim”, ka deklaruar Duka.

Ai gjithashtu ka thënë se dashuria e madhe e futbollistëve të Shqipërisë për kombëtaren i vuri nën presion në 15 minutat e para, kurse ka theksuar se një skuadër nuk mund të luajë më mirë se kaq me 10 lojtarë në fushë.

“Çunat tanë e dashurojnë shumë më shumë fanellën dhe nuk arritën që në minutat e para të çlirohen nga emocionet. Ata e ndjenë peshën e fanellës, dhe ranë në presion sidomos në 15 minutat e para. Nuk besoj se një skuadër mund të luajë më mirë se kaq me 10 lojtarë në fushë”, është shprehur kreu i FSHF-së.

Nuk ka harruar të lavdërojë tifozët që ishin prezent në stadium për atmosferën e krijuar, ndërsa i ka ftuar ta vazhdojnë këtë përkrahje për Kombëtaren edhe në ndeshjet e ardhshme.

“Uroj që të jenë të jenë të kënaqur që kanë qenë në stadium, çdo tifoz dëshiron rezultat pozitiv, por i ftojë që ta përkrahin këtë skuadër, pasi jo gjithçka përfundon me një ndeshje. Nëse luajmë si luajtëm në pjesën e dytë besoj se kem shanset tona për të kaluar në fazën tjetër”, ka thënë Duka./Albeu.com/
Shtuar më 11/06/2016, ora 19:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori