Duka: Kupa do qëndrojë në Tiranë, nëse fiton Skënderbeu...
Pak orë nga shpallja e kampionit të futbollit shqiptar, në një intervistë për Top Channel presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka zbulon përgatitjet e festës për titullin më të luftuar të këtyre viteve të fundit.

Partizani me dy pikë larg Skënderbeut luan në fushën e tij ndaj Teutës, ndërsa korçarët luajnë në fushën e vështirë të Vlorës, ku nuk kanë asnjë alternativë veç fitores. Por Federata nuk e fsheh se, cili prej dy varianteve shihet si më i mundshëm.

“Për mirë apo për keq, futbolli i tillë është. Kush kontribuon më shumë do të marrë më shumë frute. Asgjë nuk është e mirë kur është monotone, kështu që po të ndryshonte mirë do të ishte. Është vendosur që ne do të jemi në Tiranë dhe kupa do të jetë këtu, në ndeshjen Partizani-Teuta. E nëse Partizani nuk shpallet kampion, atëherë ceremonia mund të zhvillohet të nesërmen. Versioni i parë i ceremonisë do të jetë për në ‘Qemal Stafa’, te ndeshja Partizani-Teuta”, tha Armand Duka.

I vetmi që nuk është pajtuar me asnjë skenar, as me atë të kupës nga Federata, është kryeministri Edi Rama. Deputeti i parë i Vlorës do të ndjekë të mërkurën ndeshjen nga stadiumi “Flamurtari”.
Shtuar më 18/05/2016, ora 09:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori